Site icon Telegrafi

Kush është thembra e Evropës?

E kaluara dhe e tashmja na kanë treguar që marrëdhëniet ndërmjet shteteve gjithmonë janë drejtuar dhe do të drejtohen vetëm në bazë të interesave, e jo në bazë të ndonjë dashurie apo dashurie mes tyre. Ka qenë i paimagjinueshëm "përbashkimi" i interesave gjermano-franceze në shekullin 18, 19 e deri në gjysmën e parë të shekullit 20. Por, kjo ndryshoi dramatikisht në gjysmën e dytë të shekullit 20, ku gjermanët dhe francezët u bënë si dy fëmijë që janë të interesuar të luajnë pa hile mes vete – kuptohet pasi janë bërë copa me grushte dhe e kanë kuptuar që ashtu nuk shkon më. Pra, ata luajnë bashkë pasi ta kuptojnë rëndësinë e paqes. E, rëndësia e paqes kuptohet deri në atë moment kur interesat përputhen. Nëse ndryshojnë, atëherë paqja nuk ekziston më.

Kriza financiare globale e ndjekur nga kriza e BE-së hapi horizonte të reja të mentalitetit të vjetër. Raste tipike janë orientimet apo riorientimet e shteteve të BE-së. P.sh. Hungaria duke e parë vetën të lënë pas dore nga aleati i saj tradicional, Gjermania, filloi orientimin kah Rusia duke e shantazhuar rëndë jo vetëm aleatin e saj gjerman, po tërë BE-në. Pajtueshmëritë mes Hungarisë dhe Rusisë për "përbashkimin" e politikave të energjisë do jenë, kuptohet nëse do të realizoheshin, një goditje e rëndë për BE-në. Pastaj, “hapja” e kufirit hungarez për eksodin e Kosovës nuk mund të shihet ndryshe, përpos si shantazh para se gjithash ndaj Gjermanisë tashmë indiferente ndaj zhvillimeve përreth, si dhe shantazh direkt ndaj plogështisë së BE-së me probleme të shumta në rritje.

E, Gjermania duke qenë e varur nga eksporti, ka filluar të brengoset më shumë për vete sesa për “satelitët” e saj përreth (vendet Baltike, Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Hungari). Kjo, sepse, duke ditur që mbi 50 për qind e GDP-së së Gjermanisë eksportohet jashtë, atëherë brenga e këtij vendi është shumë e qartë.

Janë dy probleme madhore që shqetësojnë me të madhe Gjermaninë. Së pari është kriza greke, e cila me të majtët në pushtet po mundohet të lobojë sa më shumë brenda BE-së, e sidomos në Francë e Angli, dhe pastaj në Rusi, në mënyrë që të shlyejnë borxhet e mëdha që ka ky vend ndaj BE-së duke i kamufluar ato me dëmet naziste të Luftës së Dytë Botërore në Greqi. Këtu Greqia po luan lojën e fëlliqtë, po si duket nuk i ka mbetur rrugë tjetër.

Dalja eventuale e Greqisë prej Eurozonës do të mund të kishte efekte negative zinxhirore edhe në pjesën tjetër jugore të BE-së, sidomos te Portugalia, Spanja dhe Italia. Nëse Greqia do të braktiste Eurozonën, skenar ky i mundshëm, atëherë do të mund rikrijonte politikat e saj monetare, që për pasojë do të kufizonin eksportin gjerman dhe vendeve tjera të BE-së në tregun grek. Pra, Greqia do të mund të riaktivizonte valutën e saj, Dhrahminë, dhe kjo të nxiste prodhimin dhe zhvillimin ekonomik duke bërë që mallrat greke – me valute greke të devalvuar – do të mund të bëheshin më të lira dhe rrjedhimisht më atraktive për tregun e jashtëm. Ndërkohë, që sot Greqia nuk mund të devalvojë Euron, sepse aty kollitet BE-ja (Gjermania) me Bankën Qendrore Evropiane të menaxhuar kryesisht prej bankierëve dhe lobit gjerman, dhe Gjermania, duke qenë netokontribuesi më i madh në BE dhe rrjedhimisht ekonomia numër një në BE, do të mundohet të imponojë rregullat e saj të lojës.

Efekti dihet. Dalja e Greqisë nga Eurozona do të ndikonte në kufizimin e eksportit gjerman dhe kjo rrjedhimisht do të rriste papunësinë në Gjermani. Nëse këto kufizime do arrinin edhe te tri shtetet tjera jugore të BE-së (Portugali, Spanjë e Itali), atëherë të tri këto shtete me politikat e tyre monetare kombëtare do kufizonin dukshëm eksportin gjerman dhe kjo do t’i shkaktonte dhimbje të theksuar ekonomisë gjermane duke ditur që mbi 50 për qind e eksportit gjerman shkon në tregun e BE-së.

Prandaj, nuk ishte e rastësishme vizita e kancelares Angela Merkel në SHBA, para ca muajsh, e cila edhe pse të gjithë mendonin që pati shkuar të diskutojë me presidentin amerikan, Barack Obama, më shumë për krizën në Ukrainë e më pak për krizën greke, ndodhi krejt e kundërta. Merkel, sipas shumë mediave botërore, i shprehu Obamas shqetësimin e saj të madh për tentim-largimin e Greqisë nga Eurozona. Kriza në Ukrainë, si problemi i dytë i Gjermanisë, po ashtu ishte temë bisedimesh. Por, Ukraina, edhe pse ekonomikisht e vlershme për Gjermaninë, në aspektin gjeostrategjik nuk ishte vija e kuqe gjermane.

Vijat e kuqe gjermane do të ishin dalja e Greqisë me ndonjë shtet tjetër nga Eurozona (aspekti ekonomik) dhe ndonjë lëvizje ushtarake ruse drejt Polonisë (aspekti gjeostrategjik). Prandaj, çdo tentim rus për ta kaluar atë vijë, automatikisht do të thoshte hyrje e Rusisë në luftë me Gjermaninë dhe rrjedhimisht me Perëndimin. Mirëpo, Rusia nuk është e interesuar të shkojë aq larg, kjo për arsye se përpos disa provokimeve me aeroplanë nëpër hapësirën evropiane të NATO-s, nuk ka dhënë ndonjë sinjal për ndonjë lëvizje eventuale ushtarake ndaj Polonisë.

Pra, Merkel, në vizitën e saj në SHBA u mundua që ta bindte Obaman që të ushtrojë ndikimin e tij – mundësisht përmes lobit të fortë grek në SHBA – mbi shtetin grek që të qëndrojë në Eurozonë.

Ndërkohë, për Ukrainën Obama ndau shqetësimin me Merkelin se agresioni rus, edhe pse i kamufluar, nuk mund të tolerohet gjatë nga SHBA-të. Arsyeja pse Ukraina është vijë e kuqe për SHBA-të është se SHBA-të historikisht kanë qenë të interesuara që në Euroazi të mos ketë hegjemon. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse SHBA-të goditën Gjermaninë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, dhe arsyeja e fitores së Luftës së Ftohtë ndaj Bashkimit Sovjetik që kishte politika ekspansioniste drejt Evropës.

Pra, qëllimi primus inter pares është që në Euroazi të mos ketë hegjemon. Ky është interesi jetik i SHBA-ve, sepse duke penguar hegjemonizmin në Euroazi dhe pjesë tjera të botës, SHBA-të ndihen më të sigurta.

Pra, nëse një pjesë e Ukrainës e kontrolluar prej rusëve do të merrte autonomi, atëherë kjo do të defunksionalizonte shtetin e Ukrainës dhe do rriste apetitet ruse për gllabërimin total të Ukrainës. Prandaj, SHBA-të, ashtu siç kanë proklamuar, do të ndjekin politikat koherente të tyre gjithmonë për të ndihmuar të dobëtin. Pra, do ta armatosin Ukrainën, njëjtë siç bënë në Afganistan, Irak, e zona tjera botërore, dhe kjo armatosje do të zgjaste jetën e konfliktit në Ukrainë me vite duke i shkaktuar Rusisë dëme të konsiderueshme në Ushtri, në ekonomi e në diplomaci. Konflikti i gjatë është ajo çfarë më së paku i intereson palës ruse, duke ditur që SHBA-të gjatë këtij konflikti mund të provokojnë edhe konflikte tjera paralele, si në Gjeorgji, Moldavi, Azerbajxhan etj. Prandaj, një konflikt i dytë do të ishte katastrofal për Rusinë, të cilat konflikte përpos që do ishin të pamenaxhueshëm do t’i kushtonin jashtëzakonisht shumë Rusisë dhe do të rrisnin presionin qytetar rus për ndërprerje të tyre.

Kurse, interesi gjerman në Ukrainë është një paqe, pa marrë parasysh a është e brishtë apo çfarë. Me rëndësi për Gjermaninë është mos ngucja e Polonisë nga Rusia. Kurse, për amerikanët interes është mos ngucja e Ukrainës nga Rusia, e mos të flasim për Poloninë. Ndërkohë që interesi rus në Ukrainë historikisht ka qenë që Ukraina të jetë nën kontrollin e tyre dhe të shërbejë si tampon-zonë mes Rusisë dhe Evropës, pra që armiku – pontencialisht Gjermania – të jetë më larg kufirit rus.

Arsyet pse Rusia dëshiron ta ketë nën kontroll Ukrainën, është pozita tejet rrafshët gjeografike e Ukrainës dhe mundësia shumë e lehtë e pushtimit të saj. Edhe Hitleri e edhe Napoleoni, kur patën depërtuar në Rusi, këtë e patën bërë nëpër territorin e Ukrainës. Këtë fakt Rusia e di shumë mirë, prandaj mundohet që së paku, nëse jo ta sundojë, ta mbajë të përçarë dhe destabilizuar Ukrainën dhe mos ta lejojë të futet nën ombrellën e BE-së (SHBA-të_.

Prandaj, nuk duhet harruar se kufiri mes paqes dhe luftës në Euroazi gjithmonë ka qenë shumë i hollë. Kështu ka qenë të kaluarën, kështu është edhe sot. Qytetarët e thjeshtë nuk e kanë besuar që Rusia do të sulmojë Ukrainën në shekullin 21, pastaj Gjeorgjinë. Kjo tregon që interesat e fuqive të mëdha aty ku nuk përputhen shkaktojnë luftë, prandaj e ardhmja nuk do të jetë ndryshe.

Pra, shikuar globalisht, Gjermania është duke luftuar në shumë fronte, po ai kryesori është mirëmbajtja dhe zgjerimi i Eurozonës. Ky është interes jetik për ekonominë eksportuese gjermane. Nëse vetëm pak i kthehemi historisë e shohim se përderisa ekzistonte perdja e hekurt mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist, Gjermania ishte tejet e kufizuar në eksportin e saj në pjesën e botës komuniste. Ndërkohë, me rënien e komunizmit dhe futjen e ish vendeve komuniste në BE, produktet gjermane filluan të pushtojnë tregjet e vendeve të sapo-anëtarësuara, duke bërë që prodhimet gjermane të shumëfishohen dhe mirëqenia e shtetit gjerman të rritet në përmasa të papara.

Në kohën kur qe futur në veprim Euro (viti 2002), Gjermania kishte një zhvillim jashtëzakonisht të madh ekonomik, për arsye se vlera e Euros në atë kohë ishte më e vogël se e Deutsche Markës gjermane dhe si rrjedhojë eksportet gjermane ishin më të lira me Euro se sa me Deutsche Mark. E, produktet gjermane, me cilësi jashtëzakonisht të lartë, shumë shpejtë arritën në tërë tregun e përbashkët të BE-së.

Është e rëndësishme të theksohet që BE ka dështuar në uljen e dallimeve në zhvillim ekonomik mes veriut të pasur dhe jugut të varfër. Pra, të pasurit u bënë edhe më të pasur, kurse të varfrit u varfëruan edhe më shumë. Rast tipik është Evropa Juglindore me ekonomi të brishta dhe jo premtuese.

Në kohën kur vendet e Evropës Juglindore hapën tregjet e tyre, ato u vërshuan nga konkurrenca e vendeve të forta të BE-së, ndërkohë që privatizimet e bëra nëpër vende të ndryshme të Evropës Juglindore, përfshirë Kosovën, pothuaj të gjitha dështuan të gjenerojnë vende pune dhe prodhime konkurruese për tregun e BE-së. Ky dështim i privatizimeve ishte i pritshëm, duke ditur që ekonomitë e Evropës veriore qysh gjatë periudhës komuniste ishin shumë përpara ekonomive komuniste dhe në momentin kur u hapën tregjet, ekonomitë e pasura pushtuan tregjet e reja dhe ekonomitë e ish komuniste nuk patën mundësi të rezistonin. Si pasojë e vdekjes së tregjeve në Evropën Juglindore, kemi nivel të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeveri jostabile, emigracion të lartë dhe paperspektivë totale.

Si rrjedhojë e paperspektivës ekonomike, kanë filluar të dalin rryma ekstreme gjithandej Evropës, të cilat kanë filluar të rrisin ndikimin e tyre te shtresat e gjera qytetare të vendeve anëtare të BE-së. Kjo krizë e BE-së do të jetë afatgjatë dhe do të rrisë kontradiktat mes shteteve anëtare të BE-së. Gjermania, do të mundohet që me tërë aparatin e saj lobues të shtrijë ndikimin e saj te institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të saj, vetëm e vetëm të mbajë BE-në "të bashkuar", sepse kjo në radhë të parë është interes jetik për shtetin dhe ekonominë gjermane. Ndërkohë që vendet jugore të BE-së, duke mos patur politika nacionale monetare, ka shumë gjasa që të braktisin Eurozonën. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë projekti Evropian do të gjendet buzë humnerës. Kjo sepse të vetmen gjë ku shtetet e BE-së një pjesë të sovranitetit të tyre e kanë bartur në nivel të BE-së janë valutat e tyre. Nëse ky projekt dështon, atëherë cili do të jetë sovraniteti i BE-së nëse nuk ekziston në asnjë segment të tij?

Duke ditur të gjitha këto vështirësi, atëherë mund të thuhet që kriza në ardhje e BE-së është thembra e Evropës.

 

Exit mobile version