Pronari miliarder i Twitter-it, Elon Musk, është parë në finalen e Kupës së Botës të Katarit të dielën me një prezantuese televizive të sanksionuar dhe pro-ruse.
Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, Nailya Asker-Zade – të cilën disa qeveri perëndimore e kanë sanksionuar – postoi një selfie të saj dhe Musk në rrjetet sociale menjëherë pasi Argjentina mundi Francën në stadiumin në Lusail City të Katarit.
Ndërkohë një video e TikTok që u postua të dielën tregoi gjithashtu momentin kur Musk pozon për foton me Asker-Zade.
@yasmians #ايلون_ماسك #elonmusk #qatar ♬ original sound – Yasmian Ghanem ياسمين غانم
Asker-Zade është një prezantuese 35-vjeçare në Kompaninë Shtetërore të Transmetimeve të Televizionit dhe Radios All-Rusia (VGTRK), e cila është sanksionuar nga Britania e Madhe dhe Kanadaja në vazhdën e luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Asker-Zade dyshohet se është në një marrëdhënie me oligarkun bankar rus Andrei Kostin, i cili kryeson bankën e sanksionuar VTB.
“Si e tillë, ajo është e lidhur me dy entitete (VGTRK dhe Kostin), të cilat të dyja janë ose kanë qenë të përfshira në marrjen e përfitimit ose mbështetjen e Qeverisë së Rusisë duke ushtruar biznes si një entitet i lidhur me Qeverinë e Rusisë”, ka thënë Britania e Madhe në arsyetimin e saj për sanksionet.
Përveç Asker-Zade, Musk u fotografua në ndeshjen e së dielës edhe me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit Donald Trump dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
Business Insider shkruan se ka kontaktuar Musk për ndërveprimin e tij me Asker-Zade, por nuk mori përgjigje. /Telegrafi/