Pas dy dekadash të qenit krahu i djathtë i gjeneralit të lartë të Iranit, Qassem Soleimani, Esmail Qaani ka marrë rolin udhëheqës të Forcave Quds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Por kush është ai?
Lindur në Mashhad, Esmail Qaani, tanimë 61-vjeçar mori stërvitjen e tij ushtarake në Akademinë e Oficerëve Imam Ali në Teheran.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai u bashkua me IRGC në fillim të viteve të tij të 20-ta dhe shërbeu në divizione të ndryshme para se të emërohej komandant i divizionit Nasr-5 dhe më pas i Divizionit të 21-të Imam Reza gjatë Luftës Iran-Irak.
Pas luftës, ai u emërua nga komandanti i atëhershëm i IRGC-së Mohsen Rezaei si zv/komandant i forcave tokësore të Gardës në Mashhad, ku ai mbikëqyri sulmet brutale ndaj protestuesve në vitin 1992.
Ai u emërua zv/komandant i IRGC në 1997 në afërsisht në të njëjtën kohë me Soleimanin.
Përveç që ishte pjesë i inteligjencës në stafin e përbashkët të IRGC, ai ishte përgjegjës gjatë gjithë viteve për shpërndarjen e fondeve në grupe përfaqësuese si Hezbollah dhe të tjera në Afrikë.
Si zëvendës i Soleimanit për 20 vitet e fundit, ai është një fytyrë e njohur mes aleatëve të Iranit në të gjithë botën.
Qaani ka bërë disa udhëtime jashtë vendit, përfshirë në Gambia, Bolivi, Venezuela dhe Afganistan, kur Brigada Fatemiyoun ishte në kulmin e aktiviteteve të saj.
Pavarësisht se kishte më pak karizëm se paraardhësi i tij, Qaani mori një rol kryesor në vijat e frontit, i ngjashëm me Soleimanin, dhe ende konsiderohet të jetë afër Khamenei, i cili beson se Qaani do të jetë në gjendje të mbajë vazhdimësinë.
Përpara funeralit të Soleimanit në Teheran të hënën, Qaani premtoi të vazhdojë rrugën e tij “me të njëjtën forcë” dhe të punojë për të hequr praninë e Amerikës nga Lindja e Mesme.
“Zoti i Plotfuqishëm ka premtuar se do të marrë hakun…”. “Sigurisht që do të merren veprime”, u zotua ai.
Me Qaanin tani i ngarkuar me veprimet ushtarake të Iranit jashtë vendit, ai ka të ngjarë të përdorë një gamë të gjerë operacionesh për t’u hakmarrë për vdekjen e ish-shefit të tij.
Kujtojmë Qassem Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.
Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.
Sipas mediave, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.
Veç kësaj, Irani ka bërë të ditur se nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit.
Gjithashtu, vrasja e gjeneralit iranian ka ndikuar që një vendim të merret edhe nga Parlamenti i Irakut, i cili ka nxjerrë një rezolutë me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane nga vendi. /Telegrafi/