Site icon Telegrafi

Kush është njeriu pas EXIT POLL-it në SHBA?

Joe Lenski është zëvendëspresident ekzekutiv i Edison Research dhe drejton ekipin që kryen sondazhin e daljeve të votuesve amerikanë për rrjetet televizive, përfshirë edhe BBC-në.

Në zyrën e tij në New Jersey, në mur është varur një fotografi nga zgjedhjet e SHBA-së të vitit 1948. Ajo tregon kandidatin Thomas Dewey duke buzëqeshur me një gazetë në duar ku shkruhet “Dewey mposht Truman”.

Por, gazeta e kishte njoftuar rezultatin shumë herët. Në të vërtetë, ishte Harry Truman ai që fitoi presidencën.

“E mbaj këtu për të më kujtuar çfarë nuk duam të bëjmë natën e zgjedhjeve. Ky është makthi ynë që nuk duam ta përsërisim”, tha Lenski.

Ky i fundit ndodhet në qendër të disa prej vendimeve më të rëndësishme gjatë natës së zgjedhjeve.

Të dhënat nga sondazhet e daljeve përdoren krahas të dhënave të tjera, si votat reale të numëruara nga zyrtarët, për të parashikuar rezultatin në çdo shtet.

“Nëse është një zgjedhje e thellë në favor të një kandidati, mund të na mjaftojnë disa të dhëna nga sondazhi i daljeve dhe pak të dhëna votimi për të parashikuar shpejt rezultatin. Në shumë shtete ku gara është e ngushtë, mund të na duhen më shumë të dhëna”, thotë ai.

“Mendoj se të gjithë aktualisht presin një zgjedhje shumë të ngushtë dhe pres që sondazhet e daljeve ta konfirmojnë këtë”, deklaroi Lenski.

Ndryshe, kandidati republikan, Donald Trump dhe ajo demokrate, Kamala Harris po garojnë që të bëhen banor të ri të Shtëpisë së Bardhë. /Telegrafi/

Exit mobile version