Një kërkim dramatik është duke u zhvilluar për një nëndetëse miniaturë që është zhdukur teksa zbriste në rrënojat e Titanikut, që shtrihet 3800 metra nën det në brigjet e Newfoundland, Kanada. Kontakti me nëndetësen, e cila kishte pesë persona në bord, humbi të dielën.
Biznesmeni britaniko-pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleiman, miliarderi dhe studiuesi britanik Hamish Harding, ish-zhytësi i Marinës Franceze, Paul-Henry Nargeolet dhe Stockton Rush, drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i OceanGate, i cili organizoi vizitën në mbytjen e Titanikut, janë në nëndetëse, transmeton Telegrafi.
Paul-Henry Nargeolet
Familja e Paul-Henry Nargeolet, një zhytës francez me dekada përvojë në kërkimin e Titanikut, ka njoftuar se ndodhet në nëndetësen e zhdukur.
Nargeolet është drejtor i kërkimeve nënujore në RMS Titanic Inc., e cila ka të drejta ekskluzive për të shpëtuar objekte nga rrënojat.
Sipas biografisë së tij të postuar në faqen e internetit të kompanisë, Nargeolet deri më tani është zhytur 35 herë në rrënoja dhe ka mbikëqyrur rikuperimin e 5000 objekteve. Ai gjithashtu kaloi 22 vjet në marinën franceze, ku u ngrit në gradën e komandantit, shkruan CNN.
Hamish Harding
Miliarderi dhe eksploruesi britanik Hamish Harding është në nëndetësen Titan, njoftoi kompania e tij Action Aviation.
Në vitin 2019, Harding u bë kryetitull i mediave globale si pjesë e ekipit të fluturimit që theu rekordin botëror për rreth navigimit më të shpejtë të globit nëpërmjet Poleve të Veriut dhe Jugut.
Në vitin 2020, ai u bë një nga njerëzit e parë që u zhyt në pikën më të thellë të Hendekut Mariana (dmth, në të gjithë oqeanet e botës) të quajtur Challenger Deep.
Vitin e kaluar, ai u quajt “astronaut” sepse mori pjesë në një fluturim komercial të Blue Origin, kompanisë hapësinore të Jeff Bezos.
Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleiman
Familja e Shahzade Dawood tha se ai dhe djali i tij Suleiman hipën në një nëndetëse që po shkonte drejt rrënojave të Titanikut. Në njoftimin për shtyp thuhet se babë e bir u nisën për një “udhëtim drejt rrënojave të Titanikut në Oqeanin Atlantik”.
Dawood është një familje e shquar pakistaneze në biznes. Kompania e tyre, Dawood Hercules Corporation, është një nga korporatat më të mëdha në vend, që merret me energji, petrokimike, plehra, teknologji informacioni, ushqim dhe bujqësi.
Stockton Rush
Drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i OceanGate, Stockton Rush është në mesin e pesë personave në bordin e nëndetëses së zhdukur, konfirmoi kompania dje pa dhënë detaje të mëtejshme rreth rolit të tij gjatë ekspeditës. /Telegrafi/