Telegrafi

Kush është ministrja serbe që e lëshoi sallën kur Kosova mori Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pavijoni i vendit tonë ka fituar një Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të të njohurit Bienal i Venecias.

Në momentin emocionues të ngjitjes së ekipit kosovar në skenë për të pranuar mirënjohjen, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Kulturës e Serbisë, Maja Gojkoviq, zgjodhi të largohej nga salla.

Lexo po ashtu Kosova me Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias – ministrja serbe e lëshon sallën

Ky veprim, që shënoi një moment tensioni në një ngjarje që festonte artin dhe kulturën, nuk e zbehu shkëlqimin e pavijonit të Kosovës dhe të artistëve të saj që u nderuan me këtë çmim prestigjioz.

Kush është Maja Gojkoviq?

Maja Gojkoviq ka lindur në vitin 1963 në Novi Sad. Studimet i ka kryer në Fakultetin Juridik ndërsa filloi të ushtrojë profesionin e avokatit, por shpejt mbizotëroi temperamenti i saj, kështu që ajo në masë të madhe e zëvendësoi praktikën e avokatisë me politikën – gjithmonë ekstremizmin.

Ajo ishte themeluese e Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe sekretare e përgjithshme gjersa më pas ushtroi detyrën e nënkryetares së partisë. Gojkoviq ishte e preferuara e liderit të partisë, kriminelit Vojislav Sheshel.

Ajo ishte në krye të radikalëve gjersa Sheshel dhe anëtari i partisë, Tomnislav Nikoliq ishin në burg për disa ditë për shkak të mosbindjes së tyre të menjëhershme ndaj ish-presidentit të ish-Jugosllavisë, Slobodan Millosheviqit.

Gjatë regjimit të Millosheviqit ajo ka mbajtur pothuajse të gjitha pozitat – deputete federale dhe deputete republikane, por edhe nënkryetare të Qeverisë Federale dhe ministre pa portofol në Qeverinë e Serbisë.

Ajo ishte anëtare e ekipit ligjor të Sheshelit në Tribunalin e Hagës, por edhe themeluese e kompanisë që botonte gazetën e partisë ekstremiste “Velika Srbija”. /Telegrafi/