Site icon Telegrafi

Kush është Matteo Messina Denaro, bosi i mafias italiane i kapur pas 30 vitesh në arrati?

Policia italiane arrestoi të hënën Matteo Messina Denaro, bosin më të kërkuar të mafias në vend, i cili kishte kaluar 30 vjet në arrati.

Messina Denaro akuzohet si një vrasës i pamëshirshëm, dhuna e të cilit karakterizoi reputacionin e përgjakshëm të mafies Cosa Nostra.

“Me njerëzit që kam vrarë, mund të mbushja një varrezë”, thuhet të jetë mburrur ai, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Fraza është e pamundur të konfirmohet, por flet për legjendën që e rrethon.

I njohur si “Diabolik” sipas një personazhi komik italian, ai ishte lideri i padiskutueshëm i Cosa Nostra në provincën perëndimore siciliane të Trapanit.

Por pushteti i tij u shtri më tej, duke përfshirë kryeqytetin e Sicilisë, Palermo, ku u arrestua.

Messina Denaro është një adhurues i orëve Rolex, veshjeve të stilistëve, librave komikë dhe lojërave video dhe ka një reputacion si një “playboy”.

Dikur ai u shfaq në kopertinën e një reviste italiane me syze të errëta, duke u dukur si një yll roku, por lista e tij e viktimave është e gjatë dhe krimet për të cilat akuzohet janë të tmerrshme.

Për çfarë akuzohet ai?

I lindur më 26 prill të vitit 1962, në Castelvetrano në Sicilinë jugperëndimore, Messina Denaro u rrit në zemër të krimit të organizuar.

Babai i tij, Don Ciccio, ishte kreu i klanit lokal – ndërsa kumbari i tij, i cili mori pjesë në pagëzimin e tij, ishte gjithashtu një anëtar i grupit.

Përplasjet e tij të para me ligjin filluan në vitin 1989 kur ai mori pjesë në një luftë të përgjakshme midis dy klaneve.

Ai u akuzua atë vit për vrasjen e Nicola Consales, një pronar hoteli që iu ankua një punonjëseje se i kishte gjithmonë “këta mafiozë të vegjël nëpër këmbë”.

Fatkeqësisht, punonjësja ishte zonja e Messina Denaro.

Lexo po ashtu Si u kap mafiozi më i kërkuar i Italisë pas 30 vjetësh në arrati – mediat sjellin detajet dhe pamjet, tregojnë çfarë pritet të ndodhë me të

Në vitin 1992, ai ishte pjesë e një grupi mafioz të dërguar në Romë në përpjekje për të vrarë gjyqtarin anti-mafia, Giovanni Falcone.

Grupi u urdhërua përfundimisht nga Toto Riina, bosi i Corleone i njohur si “Bisha”, i cili vendosi për një tjetër qasje.

Falcone u vra në një bombë me makinë pranë Palermos më 23 maj të vitit 1992.

Vetë Messina Denaro ishte i pamëshirshëm gjatë gjithë karrierës së tij.

Në korrik të vitit 1992, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Vincenzo Milazzo, kreut të klanit rival Alcamo, ai akuzohet se ka mbytur partneren e tij, e cila ishte tremuajshe shtatzënë.

Të dy trupat u varrosën në fshat.

Si kreu i klanit Castelvetrano, ai ishte aleat me klanin Corleonesi, i cili u ‘përjetësua’ në filmat “The Godfather”.

Pasi Riina u arrestua në janar të vitit 1993, hetuesit thonë se Messina Denaro vazhdoi strategjinë e tij të brutalitetit, duke ofruar mbështetje logjistike për bombat në Firence, Milano dhe Romë atë vit – nga ku gjetën vdekjen 10 njerëz dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.

Një gjykatë zbuloi se në nëntor të vitit 1993, ai ishte një nga organizatorët e rrëmbimit të Giuseppe Di Matteo, atëherë 12 vjeç, babai i të cilit kishte dhënë dëshmi për vrasjen e Falcone.

Në një nga incidentet më famëkeqe të Cosa Nostra-s, djali u mbajt për 779 ditë përpara se të mbytej dhe trupi i tij të tretej në acid.

Si i shpëtoi kapjes për kaq gjatë?

Messina Denaro u zhduk nga opinioni publik në mesin e vitit 1993, duke filluar atë që do të ishte 30 vjet në arrati nga akuzat, duke përfshirë “shoqërimin mafioz”, vrasjet, vjedhjet dhe posedim të eksplozivëve.

Në vitin 1994 dhe 1996, deklaratat e mafiozëve që më vonë vepruan si dëshmitarë të shtetit hodhën pak dritë mbi rolin e tij brenda Cosa Nostra-s.

Në vitin 2000, pas atij që njihet si gjyqi Maxi kundër mafies siciliane në Trapani, i cili dënoi qindra të pandehur, ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm, përcjell Telegrafi.

Si i kërkuar, Messina Denaro i menaxhonte punët e tij duke komunikuar me pseudonimin “Alessio” përmes sistemit “pizzini”, në të cilin mesazhet e koduara liheshin në copa të vogla letre.

Vendndodhja dhe aktivitetet e tij gjatë asaj kohe ishin objekt i thashethemeve intensive, duke përfshirë se ai kishte bërë një operacion plastik për të ndryshuar pamjen e tij.

Ai kishte shumë burime të ardhurash, nga trafiku i drogës e deri te lojërat e fatit, si në Itali ashtu edhe jashtë saj.

Në vitin 2015, një prokurore italiane në kërkim të tij, Teresa Principato, tha se ai kishte të ngjarë t’i kishte shpëtuar kapjes për kaq shumë kohë sepse ishte i mbrojtur “në një nivel shumë të lartë”.

Ajo nuk tha nëse kjo nënkuptonte se bëhej fjalë për Cosa Nostra, politikanë apo institucione.

“Ne kemi konfirmim për praninë e tij në Brazil, Spanjë, Britani, Austri”, tha ajo për të përditshmen Il Fatto Quotidiano në atë kohë. “Ai udhëton për biznes të nivelit jashtëzakonisht të lartë dhe kthimi i tij në Sicili është i parregullt dhe gjithnjë e më i rrallë”.

Në vitin 2020, disa nga bashkëpunëtorët e Messina Denaro u arrestuan, duke “zvogëluar” rrjetën rreth shefit.

Dhe në tetor të atij viti, ai u dënua përsëri në mungesë për rolin e tij në vrasjen e Falcone.

Si u kap?

Gjenerali i karabinierëve Pasquale Angelosanto, i cili drejton skuadrën e operacioneve speciale të forcës policore, tha se shëndeti i Messina Denaro i ndihmoi hetuesit të gjenin dhe të kapnin atë.

I arratisuri u dërgua në paraburgim pasi u kap teksa ndodhej në një qendër mjekësore.

Lexo po ashtu Ishte në arrati për tri dekada, policia italiane arreston bosin më të kërkuar të mafias Matteo Messina Denaro

“E gjitha çoi në datën e sotme kur ai do të kishte ardhur për disa analiza dhe trajtim” në klinikë, tha Angelosanto të hënën.

Autoritetet nuk thanë se për çfarë po trajtohej, por ai u kap në klinikën La Maddalena në Palermo, një institucion mjekësor me reputacion për trajtimin e pacientëve me kancer dhe mediat italiane thanë se ai po trajtohej prej një viti.

Gjatë një konference për shtyp në mbrëmje, autoritetet treguan se trajtimi i Messina Denaro mund të vazhdojë në një repart burgu spitalor.

Hetuesit thanë se ai ishte i paarmatosur dhe i veshur si një pacient tipik në klinikë, megjithëse mbante një orë me vlerë të paktën 30,000 euro.

“Ai nuk rezistoi fare”, u tha gazetarëve koloneli i Karabinierëve, Lucio Arcidiacono. /Telegrafi/

Exit mobile version