Telegrafi

Cili ishte funksioni i Salih Mustafës para dhe pas luftës, të arrestuarit të parë nga Specialja

Gjykata Speciale ka nisur sot me arrestimin e personave të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

I arrestuari i parë nga kjo Gjykatë është Salih Mustafa, ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një njoftimi për media.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Speciales. Ai po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale

Por kush është Salih Mustafa dhe cili ishte funksioni i tij në periudhën e luftës dhe pas saj në Kosovë?

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës, shkruan KlanKosova.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ai ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vjet burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut. /Telegrafi/