Site icon Telegrafi

Kush është “bosi i drogës” që u arratis kur burra të armatosur rëndë i zunë pritën një furgoni në Francë?

Një bos i dyshuar droge është në arrati në Francë pasi u arratis gjatë një prite që la të vdekur dy roje burgu.

I burgosuri po transportohej midis burgut dhe një gjykate në Rouen kur burra të armatosur rëndë i zunë pritën furgonit.

Por kush është i arratisuri nga burgu?

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i burgosuri i arratisur është Mohamed Amra, i cili njihej si “La Mouche”, sipas mediave franceze.

Sipas tyre, 30-vjeçari është një tregtar droge nga Franca veriore, thanë burimet policore.

Lexo po ashtu I bllokuan lëvizjen, pastaj filluan të shtënat – momenti i sulmit ndaj një autokolone të burgut në Francë ku u vranë dy zyrtarë dhe u arratis një i burgosur

Një nga burimet theksoi se Amra kishte lidhje me bandën e fuqishme “Blacks” të Marsejës, ndërsa prokurorja publike Laure Beccuau tha se ai ishte nën hetim për një rast rrëmbimi dhe vrasjeje në qytet.

Amra dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një francezi në Spanjë në vitin 2023.

Ai ishte nën vëzhgim të lartë dhe së fundmi ishte dënuar me 18 muaj për vjedhje.

Mohamed Amra

Megjithatë, ai nuk konsiderohej një i burgosur “i radikalizuar”, sipas burimeve policore që folën për gazetën franceze Le Figaro.

Ai kishte 13 dënime të mëparshme për vepra kryesisht të lehta, duke përfshirë vjedhjen, drejtimin e automjetit pa patentë dhe refuzimin e ndalimit nga policinë, sipas BFM TV.

Përpjekje e mëparshme arratisjeje

Një burim nga burgu i tha Le Parisien se Amra ishte përpjekur të arratisej nga qelia e tij dy ditë para pritës.

Thuhet se ai ishte vendosur në izolim dhe niveli i mbikëqyrjes së tij u rrit pas përpjekjes për arratisje – duke bërë që të nevojiteshin më shumë roje gjatë transportit.

Çfarë ndodhi në pritë?

Amra po dërgohej në burgun Evreux në Normandi pas një seance gjyqësore në Rouen, rreth 35 milje larg, kur u sulmua nga burra në dy automjete.

Pamjet e kamerave të vëzhgimit treguan një makinë të zezë duke u përplasur me një furgon të bardhë.

Një nga automjetet e përdorura në arratisje u vodh së fundmi në zonën Seine-et-Marne, raportoi transmetuesi francez BFM TV.

E sulmuesit tentuan t’i vënë zjarrin automjetit të parë përpara se të largoheshin. Të dyja makinat u gjetën të djegura afër vendit ku ndodhi sulmi.

Dy oficerë meshkuj burgu u qëlluan për vdekje dhe tre të tjerë u plagosën rëndë gjatë sulmit, i cili ndodhi pranë një kabine të pagesës së autostradës.

Pamjet treguan gjithashtu të paktën dy burra me kapuç që mbanin pushkë pranë makinës SUV.

Reagojnë nëna dhe avokati i Amra

Avokati i Amra, Hugues Vigier, tha se ai ishte “i shtangur” nga dhuna “e pafalshme”.

“Kjo nuk korrespondon me përshtypjen që kisha për të”, tha ai për BFM TV.

“Nëse ai është i përfshirë, kjo është për shkak se unë kam gabuar me të vërtetë se si Mohamed Amra ka punuar dhe çfarë ishte në gjendje të bënte ai”, i tha ai transmetuesit francez.

Ndërkohë nëna e Amra tha se nuk dinte për sulmin e planifikuar.

Lexo po ashtu Dy zyrtarë të vrarë, i burgosuri 'në arrati' – detaje dhe pamje të sulmit ndaj një autokolone të burgut në Francë

“Ai nuk më flet, nuk më flet fare për asgjë”.

Ajo përshkroi përgjigjen e saj ndaj sulmit, duke i thënë RTL: “Unë qava – isha shumë keq – si mund të vriteshin njerëzit në këtë mënyrë?”.

Cila ka qenë përgjigja?

Disa qindra policë janë mobilizuar në një kërkim të gjerë pas arratisjes së mëngjesit të së martës.

“Po përdoren të gjitha mjetet për të gjetur këta kriminelë – u mobilizuan disa qindra oficerë policie dhe xhandarë”, shkroi ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin.

Prokurorja publike Laure Beccuau njoftoi një hetim mbi sulmin, i cili tani konsiderohet një rast i krimit të organizuar dhe vrasjes.

Hetimi do të trajtojë gjithashtu tentativat e organizuara të arratisjes, posedimin e armëve të nivelit ushtarak dhe komplotin për të kryer krime.

Një ditë bllokadash është shpallur në burgjet në të gjithë Francën të mërkurën, ndërsa sindikatat e oficerëve të burgjeve u përgjigjën me zemërim ndaj sulmit të së martës.

Mediat lokale raportuan të mërkurën demonstrata jashtë burgjeve në të gjithë vendin – duke përfshirë në kryeqytetin francez Paris, Rouen, Nice, Grasse, Draguignan dhe Amiens. /Telegrafi/

Exit mobile version