Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Artane Rizvanollin ministre të Ekonomisë në Qeverinë Kurti 2.
Në mesin e 15 emrave, Rizvanolli është njëra nga ministret që nuk kanë qenë në asnjë listë për deputetë.
Ky është profili i Artane Rizvanollit:
Artane Rizvanolli është ligjëruese në Kolegjin Riinvest që nga viti 2007.
Pas përfundimit të studimeve bazike në Ekonomiks në Universitetin e Prishtinës, ajo ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2012 ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion.
Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike, etj./Telegrafi/