Derisa partitë politike në Maqedoni përplasen për kushtet e domosdoshme për zgjedhje fer dhe demokratike, ekspertët përpiqen të ndihmojnë. Dekriminalizimi dhe departizimi i institucioneve, ndryshimi rrënjësor i bazave të të dhënave në të gjitha institucionet, përputhshmëria dhe mbyllja e tyre për t’u keqpërdorur nga personat zyrtarë, janë një pjesë e rekomandimeve që u theksuan sot në debatin me temë: “Çfarë regjistrimi dhe liste zgjedhore i nevojitet Maqedonisë?” Xhabir Deralla nga organizata CIVIL thotë se KSHZ-ja e humbi besimin e qytetarëve sepse nuk arriti të ngrihej mbi interesat partiake, njofton Tv21.
“Shteti në Maqedoni, duke i përdorur instrumentet e tij, gjatë viteve të kaluara, ndërmori veprime serioze, të cilat, listën zgjedhore e pruri në një tefter allvash, i cili lehtë mund të keqpërdoret dhe me të të manipulohet vullneti i votuesve”, u shpreh Xhabir Deralla nga “CIVIL”.
Ministri i paradokohshëm i punëve të brendshme Oliver Spasovski tha se mungesa e vullnetit politik për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, është arsyeja kryesore për të cilën elita në pushtet, fare nuk përpiqet ta pastrojë listën zgjedhore.
“Nëse dëshirojmë që lista të pastrohet tërësisht, atëherë do të duhet të bëjmë shumë reforma në institucione, ndërsa për këtë qëllim patjetër t’i depolitizojmë dhe t’i dekriminalizojmë institucionet. Sa kohë që në MPB ka shefa me diploma false, nuk mund të flasim për dekriminalizimin e institucioneve dhe pastrimin e listës zgjedhore”, tha Oliver Spasovski, Ish Ministër i Brendshëm.
Mos-harmonizimi i sistemeve të institucioneve, ligje joadekuate dhe mbajtja jo në kohë e regjistrave, janë problemet kyçe për paqartësitë e listës zgjedhore, thotë Donço Gersimovski nga Enti Shtetëror për Statistika.
“Si pasojë e ligjeve, bazave të të dhënave dhe regjistrave joadekuatë, kemi rezultate të pasakta, gjë që u dëshmua edhe me kontrollet në terren. Është e pakuptimtë që me vite të tëra, të mos evidenconi njerëz që kanë ndërruar jetë. Me vite të tëra të mos evidenconi ndryshimin e adresave, rrugëve dhe numrave të shtëpive. Kjo është e papranueshme. Për shkak të mosfunksionimit të institucioneve në sistem, tani kemi 30, 50 apo edhe 100 votues në një adresë të vetme”, tha Donço Gersimovski, nga Enti Shtetëror për Statistika.
Ndërkaq Biljana Bejkova nga organizata joqeveritare Inforqendra që kryente hulumtime për atë se çfarë liste zgjedhore i nevojitet Maqedonisë, thotë se, nëpërmjet bisedave me qytetarët dhe me ato që kanë qenë të përfshirë në kontrollet në terren, kanë ardhur në përfundim se besimi ndaj KSHZ-së ka rënë ndjeshëm. Kjo ka ndodhur si pasojë e mosazhurnimit dhe lëshimeve që KSHZ-ja po i manifeston tanimë një kohë të gjatë. Për shumëkë, është tejet e pakuptueshme se si një vend me pak më shumë se 2 milionë banorë, i cili vazhdimisht mburret me aftësitë informatike, nuk ia del të përgatisë një listë të rregullt zgjedhore, edhe pas aq shumë tensioneve dhe negociatave për këtë çështje./Telegrafi/