Fundi i muajve të dimrit sjell edhe fundin e debatit vjetor rreth cilësisë së ajrit tek ne. Eshtë një çështje që preokupon të gjithë në muajt kritik, por fatkeqësisht sjell pak vendime dhe vëmendje në stinët kur cilësia nuk i afrohet zonave të rrezikshme të ngjyrës tashmë te famshme të kuqe apo vjollce të rrezikimit të shëndetit.
Kosova këto dy vitet e fundit ka mbledhur shumë të dhëna të sakta – më shumë se kurrë – qe tregojnë saktësisht se cilat janë burimet kryesorë te ajrit. Me të dhënat e cilësisë së ajrit, që tashmë janë duke u publikuar drejtpërdrejtë në formatin e hapur nga Instituti Hidrometeorologjik, mund të arrihet edhe tek një përpilim i saktë i politikave për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Inventari i Emisioneve të ndotësve të ajrit është një nga procedurat kryesore në procesin kompleks të menaxhimit të cilësisë së ajrit. Ky proces bën vlerësimin e emisioneve nga burimet e ndryshme, i cili vlerësim pastaj përdoret si vlerë në procesin e modelimit të cilësisë së ajrit, duke i konvertuar emisionet në përqendrime të ndotësve në mbarë territorin e Kosovës. Modelimi i cilësisë së ajrit prodhon informacione në lidhje me vendndodhjet e zonave më të ndotura në vend dhe burimet e emisioneve që janë përgjegjëse për nivelin e lartë të ndotjes.
Për më tepër, Inventari i Emisioneve të ndotësve të ajrit është i rëndësishëm për t’u përdorur gjatë zhvillimit të Planit të Veprimit për Cilësinë e Ajrit, për vendosjen e masave me qëllim të zvogëlimit të emisioneve, si dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Pra, duhet pasur informacione të sakta lidhur me burimet e emisioneve, në mënyrë që të planifikohen masat e duhura dhe të përcaktohen prioritetet e tyre.
Cilat janë burimet e njohura në inventarin e ndotësve?
Në Inventar janë përfshirë burimet e mëposhtme të emisioneve në Kosovë:
– Djegia e vogël – ngrohja (edhe gatimi) në shtëpi por edhe objekte publike apo biznesore.
– Transporti: rrugor dhe ajror.
– Industria: termocentralet dhe instalimet e mëdha industriale.
– Bujqësia.
– Deponitë (mbeturinat).
– Minierat dhe gurëthyesit.
– Burimet natyrore: pyjet.
Inventari i Emisioneve të ndotësve të ajrit përmban llogaritjet e substancave të mëposhtme: grimcat e ngurta PM10 dhe PM2.5, oksidet e azotit (NOx), dioksidi i sulfurit (SO2), monoksidi i karbonit (CO), komponimet organike të avullueshme jo-metan (KOAJM), arseni (As), kadmiumi (Cd), zhiva (Hg), plumbi (Pb), etj.
Metodologjia e Inventarit të Emisioneve të ndotësve të ajrit bazohet në Udhëzuesin e EMEP 2019.
Cilët janë ndotësit më të mëdhenj?
Ndotja kryesore dhe e vërejtshme në Kosove, e shkaktuar nga grimcat ndotëse PM10 dhe PM2.5, vjen nga burimet e djegieve të vogla (kryesisht nga ngrohja e shtëpive private), pasuar nga industria, energjia dhe trafiku.
Në anën tjetër, industria dhe transporti janë burimet më të mëdha të ndotjes nga emisioni i NOx, ndërsa industria dhe termocentralet dominojnë në ndotjën nga emisionet e SO2 (me pjesëmarrje prej 96%). Ndotja kryesore është e përqëndruar në zonat urbane dhe përgjatë rrugëve kryesore.
Inventari i Emisioneve të ndotësve të ajrit duhet të zhvillohet dhe përditësohet çdo vit nga zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), gjegjësisht Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Në këtë kuptim, bashkëpunimi në lidhje me mbledhjen e të dhënave dhe harmonizimin e tyre me Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës (lidhur me të dhënat e dala nga Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë 2021), bashkëpunimi me komunat në mbledhjen e të dhënave në nivelin lokal dhe bashkëpunimi me MMPHI për të dhënat nga PKIN dhe lejet mjedisore – është i rëndësisë shumë të madhe për të zhvilluar më tej dhe për të përmirësuar Inventarin e Emisioneve të ndotësve të ajrit.
Krijimi i inventarit të emisioneve të cilësisë së ajrit në Kosovë është realizuar nga Kompania ATMOTERM (në konsorcium me NIRAS dhe UBA), si pjesë e projektit të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës dhe MCC-së. Projekti “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit” është bazuar në të dhënat nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (AJBN) për zona specifike të Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës..