Samiti i dytë Dixhital i Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 4 dhe 5 prill 2019 në Beograd, si pjesë e javës Dixhitale në Serbi, të shpallur më parë nga Qeveria e Serbisë.
Dhe në listën e folësve ishte paralajmëruar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti.
Megjithatë, siç merret vesh, emri i tij është hequr nga lista e folësve, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, siç ishte paralajmëruar, Samiti Dixhital vlerësohet ngjarja më e madhe dixhitale në rajon, me 3.000 pjesëmarrës nga 30 vende dhe 2.000 njerëz të biznesit.
Fillimisht, Shpend Ahmeti ishte paralajmëruar si folës, por biografia e tij është hequr.
Lidhur me këtë, Telegrafi, ka kontaktuar me Shpend Ahmetin, i cili ka thënë se për këtë ngjarje, as që ka pasur ftesë.
“As nuk e di kush e ka vendosur emrin tim në listë, e as kush e ka hequr. Kurrë ftesë nuk kam marrë”, ka thënë Ahmeti për Telegrafin.
Gjithsesi, siç raportojnë mediat serbe, organizatori ka dhënë krejt tjetër shpjegim të të gjithë situatës.
Zyra e Teknologjisë së Informacionit dhe Qeverisjes Elektronike e Serbisë, ka thënë se panelin, në të cilin do të duhej të merrte pjesë edhe Ahmeti e rregullon NALAS (Rrjeti i Asociacioneve të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore).
“Ata janë ata që propozojnë folësit dhe i ndryshojnë ata. Të premten, ata propozuan ndryshime në tre folës, përfshirë kryetarin e Komunës së Prishtinës. Lista përfundimtare e të gjithë folësve do të hartohet 24 orë para fillimit të Samitit Dixhital”, është thënë në përgjigjen e tyre.
Samitin, përndryshe, pritet ta hapë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në këtë takim është paralajmëruar se do të jenë ministra të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian si dhe Komisionit Evropian, industrinë e IT dhe ekonominë e rajonit dhe botës.
Ndërsa nga Kosova, në listë kanë figuruar të jenë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, si dhe përfaqësues të organizatave të Teknologjisë dhe Inovacionit. /Telegrafi/