Telegrafi

Kush e fiton debatin televiziv mes Kurtit, Hotit e Hoxhajt? Flasin analistët

Ftesa që sot ka bërë kandidati i PDK-së Enver Hoxhaj në adresë të Albin Kurtit  është komentuar në “Debat Plus” nga panelistët.

Imer Mushkolaj thotë se një debat mes të gjithë kandidatët e subjekteve politike për kryeministër do të ishte i mirëseardhur por sipas tij aty do të duhej të debatohej për programe politike e jo diçka tjetër.

“Votuesit e rinj dhe ata të pavendosurit zakonisht fitohen në debate televizive”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Visar Ymeri thotë se fushata viteve të fundit është orientuar drejt bartësve të listës. Ai thotë ballafaqimi mes kandidatëve është i pazëvendësueshëm.

“Monologjet e kandidatëve nuk e zëvendësojnë ballafaqimin mes kandidatëve në një debat televiziv…Qytetarët do ta kishin mundësinë që të shohin cili kandidatë do të ishte më bindës në fusha të caktuara”.

Ilir Mirena thotë se është hera e parë që një kandidat i PDK-së bën ftesë për debat televiziv, pasi sipas tij në të kaluarën e kanë bërë parti tjera.

“Në këtë momentum që jemi PDK-së dhe LDK-së iu konvenon më shumë një debat se Albin Kurtit. Zoti Hoti dhe Hoxha janë ekspert të fushave të tyre dhe kanë eksperiencë të gjatë në politikë. Kurtit nuk i konvenon debati pasi projeksioni është se LVV do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve. Jemi duke parë që LVV është shumë e kujdesshme në këtë fushatë elektorale. Shumë pak njerëz të LVV-së janë duke marrë pjesë në debate…Besoj se LVV do ta gjejë një modus se si ta refuzojë këtë debat”.

Hana Xhemajli thotë se vitin e kaluar ka organizuar një debat dhe sipas saj vetëm Kurti e Osmani në atë kohë kishin pranuar të marrin pjesë në debat.

“Shpresoj që të ketë debat në këto zgjedhje, por vështirë se do të ketë”.

Donika Emini thotë se Kurti është më komfort për të marrë pjesë në një debat televiziv me kundër kandidatët pasi sipas saj ai vjen nga opozita me një qeverisje vetëm 50 ditore.

“Më herët janë evituar debatet pasi është menduar se Kurti dominon debatin…Shpresoj se debati do të ishte në nivelin akademik e jo të tipit “e bone- se bone””.

Avdi Smajlaj thotë se një debat televiziv mes kandidatëve për kryeministër do të ishte i mirëseardhur. Ai thotë se Kurti do ta dominonte debatin.

“Shoh një superioritet të zotit Kurti në raport me dy kandidatët tjerë pavarësisht përgatitjes akademike që ata kanë…Mendoj se pjesëmarrja në debat do të ishte në interes të zotit Kurti”, tha ndër të tjera Avdi Smajlaj./Telegrafi/