Parakushti më i rëndësishëm për lidershipin ekonomik global është madhësia. Sa më e madhe një ekonomi, aq më e madhe është rëndësia sistematike e tij dhe aq më shumë influencë kanë përfaqësuesit e saj politikë në vendimmarrjen ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe e botës, me një Prodhim të Brendshëm Bruto afërsisht 16.7 trilion dollarë. Prodhimi prej 12.6 trilion dollarësh i Eurozonës, e vendos atë në vend të dytë dhe Kina, me një PPB prej rreth 9 trilion dollarë vjen në vend të tretë.
Me fjalë të tjera, të trija këto ekonomi mund të konsiderohen aq të mëdha sa për të qenë liderë ekonomikë globalë. Por edhe perspektivat e një ekonomie janë gjithashtu faktorë kyçë në projektimin e lidershipit të saj dhe qëndrojnë sfida serioze përpara. Askush nuk mendon se Eurozona do të rritet më shpejt sesa ekonomia amerikane në vitet apo dekadat e ardhshme. Kina pritet të arrijë, apo kalojë SHBA-në në prodhimin e vet diku rreth vitit 2020, por dekadat e kaluara nën një regjim rigoroz të kontrollit të popullsisë, do të ulin ritmin e rritjes ekonomike në planin afatgjatë, për ta lënë ekonominë e SHBA-ve më dinamike nga të trija.
Një tjetër kriter kyç për lidershipin ekonomik botëror, është rëndësia sistemike(e modelit)në termat tregtarë, monetarë dhe financiarë. Në ndryshim nga Kina, një fuqi kjo tregtare e madhe me kapacitete financiare dhe monetare të nënzhvilluara, Eurozona plotëson kriterin e peshës sistemike dhe domethënies së tij në të trija drejtimet. Ka edhe një aspekt më pak konkret kur vjen puna te lidershipi. Të qenit një lider i vërtetë global do të thotë të formësosh dhe lidhësh strukturat ekonomike globale brenda të cilave shtetet dhe tregjet operojnë. Dhe këtë gjë SHBA-të kanë më shumë se 70 vjet që e kanë realizuar. Në konferencën e Bretton Woods të vitit 1944, SHBA-të përvijuan rendin financiar dhe monetar ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.
Struktura bazë, e përqendruar rreth dollarit amerikan, i ka mbijetuar krizave financiare, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik apo edhe integrimit në ekonominë globale, të mjaft vendeve në zhvillim. Sot, lidershipi amerikan në tregtinë botërore, menaxhimin financiar dhe atë monetar, bazohet mbi fuqinë e siguruar nga lidhjet e ndërsjella. SHBA ofron monedhën bazë ndërkombëtare, shërben si një nyje e kërkesës botërore, përcakton prirjet në rregullimin financiar dhe ka një bankë qendrore që operon de facto si huadhënës i instancës së fundit.
Përveç se sjell një të mirë publike globale, e drejta e emetimit të monedhës kryesore të botës, sjell përfitime substanciale në planin e brendshëm. Për shkak se SHBA-të mund të huazojnë apo të paguajnë për importet në monedhën e vet, ato nuk përballen me kufizimet që sjell balanca e vështirë e pagesave. Kjo i ka lejuar SHBA-ve të menaxhojnë deficitet e mëdha, të pranishme vazhdimisht që në fillim të viteve ’80.
Këto deficite çuan në ngritjen e shqetësimeve rreth vitalitetit të sistemit, ardhur kryesisht nga vëzhgues jashtë SHBA-ve, që prej kohësh kishin parashikuar rënien e tij. Por sistemi mbijetoi, sepse ai është i bazuar në shkëmbime funksionale, në kuadër të të cilave SHBA, përdor paratë e vendeve të tjera për të vepruar si motori kryesor i kërkesës botërore. Në fakt, ekonomi të orientuara nga eksporti, si Gjermania, Japonia dhe Kina, ia detyrojnë shumëçka nga suksesi i tyre aftësisë së Amerikës për të absorbuar një pjesë të madhe të eksporteve globale – dhe këto vende kanë nevojë që të vazhdojnë ta paguajnë Amerikën për të luajtur këtë rol.
Nisur nga kjo, eksportuesit e mëdhenj janë vënë së fundmi nën presion që të “korrigjojnë” bilancet pozitive me jashtë si pjesë e përgjegjësive globale. Ndërsa kjo ka kontribuar për kontraktimin e fortë të bilanceve japoneze dhe atyre kineze, bilanci i Eurozonës po rritet dhe ai, sipas FMN-së, pritet të arrijë në masën 2.3 % të PPB-së këtë vit. (diçka më pak sesa ai kinez).
Një ekonomi globale që udhëhiqet nga një vend me bilanc pozitiv duket më logjik, duke patur parasysh se përgjithësisht janë kreditorët ata që imponojnë kushtet. Në kohën e konferencës së Bretton Woods SHBA-të përllogarisnin të kishin më shumë se gjysmën e prodhimit botëror të hedhur në treg. Pjesa tjetër e botës kishte nevojë për ato dollarë që vetëm SHBA-të mund t’i fusnin në qarkullim.
Lidershipi kinez dhe ai europian, ndoshta do të duken më shumë si Pax Britanica e para Luftës së Parë Botërore(gjatë së cilës Britania e Madhe ushqente me kapitale pjesën tjetër të botës si parapritë e rënies relative të ekonomisë së saj), me hegjemoninë e fondeve financuese në planin afatgjatë. Por ky skenar kërkon një sistem financiar që funksionon mirë dhe që do të ndërmjetësojë fondet – diçka që Kina dhe Eurozona kanë qenë të paafta për ta arritur. Pavarësisht krizës financiare të vitit 2008, SHBA mbetet lideri i padiskutueshëm i financës botërore. Në të vërtetë, tregjet financiare amerikane kanë avantazhin e disponibilitetit të pakrahasueshëm, likuiditetit dhe sigurisë, çka i bën ato magnete të kapitalit botëror, sidomos në kohë krize.
Kjo “forcë tërheqëse”, qendrore për dominimin financiar të SHBA-ve, e përforcon rolin global të dollarit, teksa investitorët, në kërkim të sigurisë dhe aseteve të konvertueshme në para, i sjellin këto të fundit në thesarin amerikan. Bindja se një monedhë e përbashkët dhe një treg i përbashkët kapitalesh do të përforcojë institucionet financiare dhe do të zgjerojë tregjet ishte një parim udhëheqës në formimin e eurozonës.
Mungesa e një instrumenti të vetëm për borxhin, siç është ligji i Thesarit amerikan, bëri që kriza në eurozonë të japë nivele të ndryshme të borxhit publik. Për pasojë, huatë bankare u frenuan pas kufijve nacionalë dhe kështu ideja e një tregu europian kapitalesh u dizintegrua.
Njësoj si në Kinë, ku pamundësia e monedhës së konvertueshme bashkë me një strukturë supervizuese financiare të dobët, që reflekton një problem të madh që lidhet me sundimin e ligjit-po dobëson perspektivën ekonomike të lidershipit. Europianët dhe kinezët duhet të pyesin veten nëse dëshirojnë vërtet të marrin përsipër rreziqet që vijnë nga pozicioni në qendër të një sistemi global financiar, mjaft kompleks. Kontrolli i sistemit është kupa e lidershipit global, por, për ekonomi që nuk janë të përgatitura siç duhet për të, ajo që do të duhet të ishte eliksir, mund të rezultojë helm.
(Marrë nga Shekulli. Përkthyer nga “Today’s Zaman”, nga Skerdilajd Zaimi)