Zyrtarët malazezë i relativizojnë synimet euro-atlantike, duke i vënë në të njëjtin plan rekomandimet e aleatëve për formimin e një Qeverie pro-evropiane, me mesazhet nga Serbia, e cila prej vitesh nuk e ka harmonizuar politikën e saj me Brukselin, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vesko Garçeviq, profesor nga Universiteti i Bostonit.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se është e papranueshme çdo përpjekje e aktorëve të huaj nga rajoni, apo nga pjesa tjetër e botës, për të ndërhyrë në krijimin e Qeverisë.
Këtë deklaratë, Millatoviq e bëri dhjetë ditë pasi ia dha kolegut të tij partiak nga Lëvizja Evropa Tani, Millojko Spajiq, mandatin për ta formuar Qeverinë, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, në të cilat kjo parti fitoi më së shumti vota.
Negociatat për përbërjen e Qeverisë së re, të cilat janë duke vazhduar, dominohen nga pyetja nëse Spajiq do ta formojë një Qeveri me partitë e Frontit Demokratik pro-rus (DF), i shpërbërë së fundi, apo me partitë e popujve pakicë.
Disa nga përfaqësuesit e tyre nuk duan t’i bashkohen Qeverisë me Frontin Demokratik.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, i kundërshtojnë, para së gjithash, qëndrimet e DF-së së shpërbërë, Demokracisë së Re Serbe të Andrije Mandiqit dhe Partisë Popullore Demokratike të Millan Knezheviqit, të cilët angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe tërheqjen e shtetit nga NATO-ja.
Përveç kësaj, liderët e tyre nuk e pranojnë gjenocidin kundër boshnjakëve në Srebrenicë, më 1995, dhe në mënyrë dominuese trashëgojnë ideologjinë e çetnikëve nga Lufta e Dytë Botërore.
Hyrjen e këtyre dy partive në Qeveri e mbështet Serbia, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiq, ka lidhje të ngushta politike me Mandiqin dhe Knezheviqin.
Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare thotë se pret një Qeveri që do t’i trashëgojë vlerat evropiane, nuk do ta vë në dyshim njohjen e Kosovës, as sanksionet ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës, si dhe nuk do t’i kontestojë krimet.
Që nga viti 2017, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, ndërsa nga viti 2012 është kandidat për anëtarësim në BE.
Nga adresat ndërkombëtare u përsërit disa herë se partnerët e preferuar për ta janë ata që i respektojnë vlerat evropiane dhe marrëdhëniet rajonale.
“Ne e mbështesim Qeverinë, anëtarët e së cilës do të dënojnë agresionin rus, do të avokojnë për integritetin territorial të Ukrainës, dhe do t’i mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, do të forcojnë pjesëmarrjen aktive të Malit të Zi në NATO, do t’i mbrojnë të drejtat e pakicave dhe do ta mbështesin sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.
Ndërsa ambasadori gjerman në Podgoricë, Peter Felten, tha se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që Qeveria e re të përbëhet vetëm nga ato forca politike që në mënyrë aktive dhe të besueshme promovojnë orientimin pro-evropian dhe euroatlantik të Malit të Zi.
Deputeti evropian Vladimir Bilçik, tha se “ai nuk mund ta imagjinojë një Qeveri pro-evropiane, në të cilën do të kishte forca që e kanë vënë në dyshim orientimin euro-atlantik të Malit të Zi”.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, disa herë ka deklaruar se të vetmit partnerë të pranueshëm për SHBA-në janë ata që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës.
Partitë e Mandiqit dhe Knezheviqit iu përgjigjën këtyre mesazheve duke thënë se Qeveria e Malit të Zi nuk do të formohet nga ambasadat e Amerikës, Gjermanisë apo zyrtarët e BE-së, por se kjo është e drejtë e qytetarëve të Malit të Zi.
Mundësia që këto dy parti të mos hyjnë në Qeveri, nga Beogradi zyrtar shihet si rrezikim i të drejtave të serbëve në Mal të Zi, pavarësisht se partitë që sigurisht do të formojnë Qeverinë, Lëvizja Evropa Tani dhe Demokratët, kryesisht mbledhin serbët në Mal të Zi.
Përveç kësaj, kandidatë seriozë për të hyrë në Qeveri janë partitë pro-serbe, Partia Popullore Socialiste dhe Mali i Zi i Bashkuar.
Shumica e këtyre partive nuk i ndajnë pikëpamjet politike të Beogradit zyrtar dhe të liderit të ish-Frontit Demokratik, që kanë të bëjnë me Rusinë, agresionin e saj kundër Ukrainës, sanksionet evropiane kundër Moskës, lidhur me Kosovën, gjenocidin në Srebrenicë…
Vuçiq, së fundi, i pakënaqur me shpejtësinë dhe rezultatin e mundshëm të negociatave për formimin e Qeverisë në Mal të Zi, vlerësoi se “serbët në Mal të Zi nuk pyeten për asgjë” dhe se do t’iu ofrohen dy ministri më pak të rëndësishme.
“Unë nuk do të flija i qetë… Podgorica të shikojë mirë se çfarë do të bëjë. Tani, unë vërej se çështja më e madhe për ta është se a guxojnë partitë serbe apo koalicioni të hyjnë në pushtet, të themi kështu, me disa ministri të vogla”, tha Milosh Vuçeviq, ministër i Mbrojtjes së Serbisë dhe kryetar i Partisë Progresive Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Përveç kësaj, ai tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë gabuar ndaj Serbisë, duke njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që, siç tha ai, do t’iu shembet mbi kokë “siç po i shembet Ukrainës”.
Kjo deklaratë është cilësuar e papranueshme nga zyrtarët e Shkupit dhe Tiranës.
Presidenti i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ky është një kërcënim i rrezikshëm dhe i papranueshëm për stabilitetin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Nga Podgorica nuk ka pasur reagime zyrtare.
Vetëm presidenti Millatoviq, një ditë pas deklaratës së Vuçeviqit, ka shkruar në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter, se janë të papranueshme përpjekjet nga rajoni apo pjesa tjetër e botës për të ndërhyrë në krijimin e Qeverisë.
Mesazhet e Perëndimit dhe të ministrit serb – në të njëjtin nivel
Mesazhet dhe sugjerimet e aleatëve nuk mund të vihen në të njëjtin nivel me ndërhyrjen e atyre vendeve, politikat e të cilave bien ndesh me BE-në dhe NATO-n, nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO, është ende prioritet për Malin e Zi, konsideron profesori Vesko Garçeviq.
Siç thotë ai, ato dy “përzierje” nuk mund të krahasohen.
“Po përpiqen që t’i vendosin në të njëjtën shportë rekomandimet e Vuçiqeviqit, se serbët janë vetëm ata ‘që janë anëtarë të ish-Frontit Demokratik’, me rekomandimet e vendeve të Bashkimit Evropian, ose Amerikës që Qeveria duhet të jetë reformiste, të fokusohet në afrimin e mëtejshëm me BE-në, të trashëgojë vlerat e qytetërimit”, vlerëson Garçeviq.
Gjithashtu, ai sqaron se prej nga vjen shqetësimi i partnerëve perëndimorë.
“Fronti Demokratik e ndërtoi profilin e tij politik mbi retorikën anti-BE dhe pro-ruse. Është logjike që ekziston shqetësimi mes partnerëve se çfarë mund të jetë ajo Qeveri dhe ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë pyetje, mbi të gjitha në sektorin e sigurisë”, thekson ai.
Ai rikujton edhe ndihmën e konsiderueshme që Mali i Zi merr nga partnerët e BE-së, NATO-s dhe SHBA-së.
“Jo vetëm për shkak të ndihmës së prekshme që merret përmes fondeve, veçanërisht të BE-së, por edhe për faktin se me të, partnerët perëndimorë mbështesin atë që shumica e qytetarëve duan, ta shohin Malin e Zi në BE”, thotë Garçeviq.
Brenda dhjetë vjetëve të fundit, Bashkimi Evropian e ka mbështetur Malin e Zi me mbi gjysmë miliard euro.
Në kuadër të programeve nacionale IPA (Instrumenti i Para-anëtarësimit) Mali i Zi ka marrë nga BE-ja 310 milionë euro. Në kuadër të investimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi ka marrë 213 milionë euro, ndërkaq në programet e bashkëpunimit ndërkufitar, ka marrë 20 milionë euro.
Sipas sondazheve të fundit, pothuajse 80 për qind e qytetarëve mbështesin hyrjen e Malit të Zi në BE.
Duke qenë se Bashkimi Evropian i mbështet reformat në Mal të Zi, jo vetëm materialisht, por edhe në mënyra të tjera, “nëse ngadalësohemi, kjo mund të ndikojë në qëndrimin e tyre ndaj nesh”, vlerëson Garçeviq.
“Ato vende nuk do të thonë – mos i merrni këta njerëz në Qeveri ose mos krijoni një Qeveri të tillë, sepse është e drejta jonë sovrane të krijojmë një Qeveri që u përshtatet interesave tona”, thotë ai.
Ai vlerëson, gjithashtu, se SHBA-ja do të mbajë qëndrim të kujdesshëm dhe do të monitorojë sjelljen e Qeverisë së re.
“Nuk do të shikojnë vetëm mesazhe retorike, në lidhje me Ukrainën apo rajonin. Nëse ka një devijim, atëherë ndoshta marrëdhëniet do të jenë më të ftohta dhe më formale. Se a do të ketë ndonjë masë të mëtejshme – kjo do të varet nga veprimet e Qeverisë”, thekson Garçeviq.
Qeveria që do të formohet nga Millojko Spajiq, do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.
Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, zgjati 14 muaj.
Në të, Jakov Milatoviq dhe Milojko Spajiq ishin ministra.
Qeveria e dytë, në krye me Dritan Abazoviqin, u përball pas tre muajsh me votë mosbesimi dhe deri më sot ajo funksionon me mandat teknik. /rel/