Janë dëmtuar dy tualete në Pallatin e Drejtësisë. Tualetet janë dëmtuar në pjesën e Pallatit të Drejtësisë ku është e vendosur Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, këtë veprim të kryer në vendin ku janë të vendosura institucionet e drejtësisë e cilësoi të qëllimshëm.
“Siç duket ky veprim është një veprim i qëllimshëm nga palët,” tha Gashi.
Ajo tregoi se po merren masa që tualetet të rikthehen në gjendjen e mëparshme.
“Është njoftuar kompania e mirëmbajtjes së objektit të gjykatës lidhur me këtë çështje andaj është duke u punuar për të sajuar këtë problem,” sqaroi Gashi.
KALLXO.com në lidhje me këtë dëmtim i ka shkruar edhe Ministrisë së Administratës Publike, por ende nuk ka marrë përgjigje prej saj.
Nga fotografitë e siguruara shihet se tualeteve të dëmtuara u janë thyer guaskat.
Vendosja e personelit dhe pajisjeve të gjykatave në Pallatin e Drejtësisë nisi në janar të vitit të kaluar.
Pallati i Drejtësisë është projekti më i madh i financiar nga BE-ja në Kosovë, me një vlerë të përgjithshme mbi 30 milionë euro.
BE-ja ka mbështetur financiarisht ndërtimin e katër prej pesë ndërtesave të kompleksit, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndërtuar të pestën, si dhe është angazhuar për kryerjen e punëve që ndërlidhen me infrastrukturën.