Telegrafi

Kush ankohet për tenderat, paguan

Ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KKP), nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, duhet të përmbajë dokumentin bankar që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja.

Sipas vendimit, pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit
të ankimit, ankesa e tij pranohet. Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.

Ankesa e paraqitur pranë komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton
pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së, thuhet në vendimin e qeverisë, raportoi të enjten Top Channel.

Ndryshimet ligjore erdhën pas propozimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, sipas së cilës paraqiten në institucion një lumë ankesash nga subjektet, një pjesë e të cilave përdoren si mjet për të zvarritur procesin. /Telegrafi/