Kryetarja e ‘Alternativës’, Mimoza Kusari- Lila e ka quajtur akt të shëmtuar sulmin ndaj gruas së ministrit Blerand Stavileci.
Kusari-Lila përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se Vitore Stavileci është viktimë e huliganizmit, dhe ‘nuk ka arsye apo petk politik që mbulon huliganizmin’.
Reagimi i plotë:
“Vitore Stavileci është grua me emër dhe mbiemër, integritet dhe dinjitet të vetin personal, shtesë është Nënë, motër, bashkëshorte dhe asnjëri nga atributet e saj nuk e meriton të ushtrohet dhunë ndaj saj, ashtu sikur asnjë qenie e gjallë nuk rrahet për se është gruaja apo Nëna e dikujt. Vitorja është viktimë e huliganizmit dhe nuk ka arsye apo petk politik që e mbulon huliganizmin. Ne kemi bindje të ndryshme politike por nuk rrahemi për to, se atëherë s’kemi nevojë për shtet por për ring boksi që të fitojë më i forti.
Ftoj organet e drejtësisë edhe pse deri me tani shpesh pa sukses, të gjejnë autorët dhe të zbardhin rastin dhe prapavijën e kësaj dhune në mënyrë që të ketë paqe dhe qetësi për të gjithë në shoqëri. Ndërsa denojmë për aktin e shëmtuar dhe ftoj të gjithë pa përjashtim të besojmë në drejtësi dhe demokraci dhe i uroj shërim të shpejtë Vitores”, ka shkruar Kusari-Lila. /Telegrafi/