Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: Tregtimi i votës së lirë, sponsorizuar nga Presidenti, u legjitimua nga Kushtetuesja

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, deputete e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes theksoi sot se në mes të luftës me pandeminë globale, partitë politike parlamentare në Kosovë tradhtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit.

Kusari-Lila në një postim në Facebook shkruan se ky tregtim i votës së lirë dhe besimit të qytetarëve i sponsorizuar dhe administruar nga Presidenti i vendit, mbrëmë u legjitimua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lexo po ashtu Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Thaçit për dekretin

Lexoni të plotë postimin e Kusari-Lilës:

“Mbrëmë u tradhtua demokracia Kosovare, edhe një herë!

Në mes të luftës me pandeminë globale, partitë politike parlamentare në Kosovë tradhtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit.

Besimi i qytetarëve për një Qeveri ndryshe, për qeveri të shpresës, u tregtua përmes negociatave politike për poste e pushtet për ata që nuk e fituan këtë besim përmes procesit zgjedhor.

Ky tregtim i votës së lirë dhe besimit të qytetarëve i sponsorizuar dhe administruar nga Presidenti i vendit, mbrëmë u legjitimua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ana e errët e këtij procesi është lehtësia e manipulimit të zinxhirit institucional për skenarë të dëmshëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Ana e ndritshme e këtij procesi është identifikimi i të gjithë akterëve të cilët lehtësisht bëhen marioneta të manipulimit, duke harruar peshën e përgjegjësisë dhe historisë që do ta mbajnë përgjithmonë si njollë në karrierën e tyre politike dhe profesionale.

Kosova është vend i lirë. Qytetarët e saj janë të lirë dhe me mendim të qartë se si e duan jetën dhe shtetin e tyre.

Këtyre të cilëve sot mund të ju duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhtinë e besimit të qytetarëve kanë të garantuar dhe të përjetshëm”. /Telegrafi/

Exit mobile version