Deputetët e LDK-së dhe VV-së kanë bojkotuar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës,e cila është duke u zhvilluar.
Bojkotimi i seancës nga ana e tyre ka ardhur për shkak se ata kanë kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita lidhur me angazhimet e
Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo seancën nuk e lëshuan deputetët e Alternativës dhe PSD-së. Në një përgjigje për Telegrafin, deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka treguar arsyet e qëndrimit të tyre në seancë.
“Është qëndrim i Alternativës që të jemi në sallë sa herë që ka kuorum, por ne nuk ua mundësojmë kuorumin e partive në pushtet. Përderisa, si opozitë jemi plotësisht të koordinuar për çështjet të cilat janë prezantuar tashmë lidhur me rezolutën e opozitës dhe qëndrimet për dialogun”, ka thënë Kusari-Lila. /Telegrafi/