Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila bashkë me deputetin Ilir Deda kanë themeluar subjekti e ri politik “Alternativa”, situatën aktuale në qytetin e Mitrovicës pas tensioneve të fundit, e ka përshkruar si ngjarje të cilat kanë qenë krejtësisht të panevojshme dhe jo qëllim mira.
Ajo ka bërë të ditur se klasa politike në Kosovë sot ka mungesë totale të vizionit për zgjidhje të mirëfilltë të problemeve me të cilat ballafaqohen mitrovicasit, si në anën veriore, ashtu edhe në atë jugore të qytetit.
“Përderisa asgjë nuk ndryshon në situatën aktuale në terren, mbetet një status-quo, një situatë e pazgjidhur e problemit të Mitrovicës, por gjithashtu edhe një mungesë totale e vizionit të perspektivës e zgjidhjes së mirëfilltë të problemeve bazike me të cilat ballafaqohen qytetarët si në anën veriore ashtu edhe në anën jugore. Është absurd të shikohet krenaria e zgjidhjes së problemit të murit. Muri nuk ishte, muri u krijua nën këtë qeverisje, do të thotë nga struktura aktuale politike në Kosovë dhe Serbi. U bë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, u krijua problem pa qenë, dhe pastaj u deshtë të merremi me këtë problem për të thënë pastaj se ndjehemi krenarë për zgjidhjen e problemit. Ne kemi një problem shumë më të rëndë, e ai problem është mungesa e një perspektive të zhvillimit për Mitrovicën, problem gjithashtu i ndarjes fizike të qytetit tashmë në dy komuna, por gjithashtu mungesa e një komunikimi çfarëdo në raport me zhvillimet e ardhshme , domethënë nuk dihet në planin kohor se cili do të jetë fati dhe zhvillimet pas një viti, pas dy viteve, por vërehet gjithmonë se nga politika e nivelit qendror gjithmonë Mitrovica shfrytëzohet si kartë politike, ku më së paku nga kjo kartë përfitojnë qytetarët e Mitrovicës si veriore ashtu edhe jugore”, tha Kusari- Lila për KosovaPress.
Kusari-Lila kritikoi bashkëpartiakun e deridjeshëm kryetarin aktual të Mitrovicës Agim Bahtiri.
Lëvdatat nga ana e kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, për marrjen e epitetit të protagonistit kryesor të sukseseve rreth problemeve në Mitrovicë, Kusari-Lila i ka quajtur vetëm fjalë dhe tentim për marrjen e meritave.
Sipas saj, Bahtiri nuk duhet të përzihet, sepse problemi i Mitrovicës tejkalon nivelin lokal.
Ajo potencoi se më tepër sesa vetëm për fjalë apo për shtyrje për merita, Mitrovica sot ka nevojë për zgjidhje.
“Janë çështje të cilat tejkalojnë autoritetin e nivelit lokal, domethënë problem i Mitrovicës është problem i pasluftës dhe i përket të gjitha niveleve të qeverisjes në Kosovë… Më tepër se vetëm për fjalë apo shtyrje për merita, Mitrovica ka nevojë për zgjidhje… Mendoj se loja apo shtyrja dhe gara se kush është më shumë meritor apo kush çka bëri, duhet të tregohet më tepër me vepra sesa me fjalë… Absolutisht jo, në fakt ai jo që s’duhet të përzihet, ai është i involvuar se është kryetar i komunës së jugut në Mitrovicë, dhe i bien që ka mundësi, por para se të hyjë në garën e meritave, është më mirë që veprat të flasin vet”, ka thënë Kusari-Lila./Telegrafi/