Kryetarja e Alternativës, deputete në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar në lidhje me prerjen e drunjve shumëvjeçare në rrugën kryesore të Gjakovës “Nëna Terezë”.
Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se drunjtë 40 – 50 vjeçar u prenë për zgjerimin e rrugës.
Ajo e quajti këtë veprim si krim mjedisor.
“Kështu u zgjua sot Gjakova. Drunjtë 40 – 50 vjeçar u prenë në rrugën kryesore të qytetit “Nëna Terezë”, për t’u zgjerua rruga për më shumë makina, për t’u ngushtua trotuaret dhe për t’u vështirësua ecja e këmbësorëve. Ky jo vetëm që është krim mjedisor, është krim mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, është krim mbi trashëgiminë historike dhe urbane, krim mbi identitetin e qytetit dhe është krim pasojat e të cilit do të ndjehen edhe për shumë vite tjera”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo po ashtu tha se fatkeqësisht kjo është pamja e sloganit të zgjedhjeve qendrore nga partia në pushtet, në Gjakovë.
“Fatkeqësisht kjo është pamja e vërtetë e sloganit të zgjedhjeve qendrore nga partia në pushtet në Gjakovë, ‘Kosova 100%’ dhe slogani i zgjedhjeve lokale ‘Tash Gjakova’. Ndotje, mjerim dhe krim”, ka shkruar ndër të tjera, Mimoza Kusari-Lila. /Telegrafi/