Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka drejtuar akuza të rënda ndaj LDK-së. Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Kusari-Lila reagoj ndaj standardeve që përmendi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Kusari-Lila tha se ky standardi i ri nuk është fillu sot por më 25 mars, ku Kosova ishte në të gjitha mediat botërore për turpin e rrëzimit të qeverisë në kohën e pandemisë.
“Në Kosovë për herë të parë një qeveri zyrtarisht ia ka jep drejtimin presidentit. Presidenti prej sot është i pajisur me drejtimin e ekzekutivit”, tha Kusari-Lila.
Ajo përmendi edhe deklaratën e djeshme të deputetit të Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala i cili tha se presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ia ndërruan mendjen për të votuar Qeverinë Hoti.
“Standard i ri është me dalë një deputet me tregu se natën i vijnë në shpi presidenti dhe ish-kryeministri për me shti me votua për këtë qeveri edhe thotë për këta dy pe votoj. Kjo qeveri nuk i ka as ato vota për të cilat po thot që i ka. Standard i ri është që në ditën që i varrosim dy minatorë me pas fishekzjarrë në Prishtinë për dhjetë minuta”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila u ka thënë se kabinetit qeveritar ju ka munguar debati dje.
“Natyrisht se ju ka munguar debati dje sepse e keni pas ndërgjegjen e vramë, sepse ata që nuk keni mujt me marr me vota e keni marrë në tavolinë. Ju këtu jeni pa plan… kur Kosovës ju ka dëmtua boshti, sistemi i rendit dhe ligjit, këto tjerat janë vetëm kozmetika”, tha Kusari-Lila. /Telegrafi/