Katër muaj pasi ka marrë mandatin Qeveria Kurti, ka filluar të bëhet bilanci.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka thënë në “Debat Plus” se ndër sukseset më të mëdha është menaxhimi i situatës me pandeminë.
“Janë marrë një mori vendimesh, derisa atë më me peshë e shoh menaxhimin e situatës pandemike dhe fillimin e procesit të vaksinimit. Nuk e kam pritë se do të vijë dita kur ne si deputetë do t’iu bëjmë thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar me vullnet. Ju e dini se në çfarë presioni kemi qenë për të sjellë vaksinat në Kosovë. Tash vaksinat janë këtu dhe uroj që qytetarët të vaksinohen”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Kusari-Lila thotë se ajo që po shihet si shkarkime është proces i reformimit të institucioneve.
“Është hera e parë që kërkohet llogari nga bordet dhe agjencionet. Askush nga bordet më nuk e ka të sigurt mandatin nëse nuk performojnë mirë”.
Ajo sukses e ka konsideruar edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje, që thotë se e kalon 100 milionëshin.
Po ashtu vizitat e zyrtarëve të Kosovës jashtë vendit, Kusari-Lila i sheh si performancë e mirë e qeverisë./Telegrafi/