Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: Pas votimit të ushtrisë, ulja në tavolinë me Serbinë do të ishte e padobishme (Video)

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se paralajmërimet e shefit të NATO-s, Stoltenberg për transformimin e FSK-së kanë shkaktuar shqetësime, por mbështetja e shteteve aleate garanton stabilitet.

Kusari-Lila në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini ka thënë FSK-ja do të veprojë në Kosovë krahas trupave të NATO-s ashtu si edhe institucionet tjera të Kosovës.

“Edhe institucionet tjera të Kosovës, kanë funksionuar krahas atyre të BE-së në Kosovë. FSK është pjesë integrale e NATO-s”.

Duke folur për dialogun me Serbinë, deputetja e opozitës thotë se Mogherini është duke bërë presion që të arrihet një marrëveshje e shpejt, pasi sipas Kusarit, asaj i përfundon mandati vitin e ardhshëm dhe ajo dëshiron të arrijë një sukses të sajin personal.

“Është e pamundur të arrihet një marrëveshje e madhe në këtë periudhë kohore sa është në mandat zonja Mogherini”, tha ajo përcjell Telegrafi.

E para e Alternativës duke folur për rezolutën e propozuar nga PSD-ja thotë se tashmë gjërat kanë ndryshuar, sepse pas votimit të ushtrisë pritet një keqësim i marrëdhënieve me Serbinë.

“Ngutja në çfarëdo procesi, përfshirë edhe ulja në tavolinë me Serbinë, do të ishte e padobishme dhe nuk do të sillte rezultat”.

Ajo ndarjen e Kosovës në baza etnike e konsideron si një proces shumë të dëmshëm, pasi sipas saj deri më tani nga Bashkimi Evropian është promovuar bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Kusari-Lila e konsideron si të gabuar tërheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj nga drejtimi i dialogut, për t’i lënë atë presidentit Hashim Thaçi.

Sa u përket zgjedhjeve të mundshme parlamentare, Kryetarja e Alternativës thotë se nëse vazhdon situata aktuale zgjedhjet do të ishin të pa evituara.

“Nëse do të fitonin subjektet aktuale qeverisëse, ato do të forconin pozicionin e tyre në Kosovë”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila./Telegrafi/

Exit mobile version