Telegrafi

Mimoza Kusari-Lila për një qeveri gjithëpërfshirëse – si opsion i fundit për dalje nga kriza (Video)

Në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, deputetja e Alternativës, Mimoza Kusar-Lila, ka thënë se përgjegjësia politike për zhvillimet në 10 vitet e fundit bie mbi Partinë Demokratike të Kosovës.

Ajo thotë se partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa nuk kanë lëvizur nga qëndrimi për të mos hyrë në pushtet me koalicionin PDK-AAK-Nisma. Ndërsa, ka shtuar se koalicioni PDK-AAK-NISMA deri tani ka diskutuar për numra dhe për pozita të individëve.

Kusari-Lila ka përsëritur se PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta formuar Qeverinë e Kosovës. :

“Ata deri tani kanë thënë se janë fitues dhe se I kanë numrat. Por, është evidente që nuk i kanë numrat. Në këtë konstalacion nuk ka hapësirë për bashkëpunim”, ka deklaruar ajo. “Duhet të mbahet seanca sa më shpejt, duhet të zgjidhet kryetar i Kuvendit dhe pastaj duhet të shihet se kush i ka votat për Qeverinë. Bllokues nuk janë të tjerët, bllokues është PAN-i”.

E pyetur rreth ultimatumit për LDK-në të kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, deputetja e Alternativës ka thënë se nuk e ka parë ende intervistën dhe se nuk e di saktësisht çfarë ka thënë ai. Por, nuk e ka kundërshtuar idenë e një qeverie gjithëpërfshirëse – si opsion i fundit. /Telegrafi/