Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: PAN nuk mund të formojë qeverinë me kushtëzime

Deputetja e zgjedhur për legjislaturën e re nga “Alternativa”, Mimoza Kusari- Lila konsideron se koalicioni PAN po kushtëzon dhe po mundohet të bindë deputetët e partive tjera të ndërrojnë mendjen në vota me qëllim për të formuar qeverinë.

Sipas saj, PAN duhet t’i lëshojë rrugën partive tjera.

“Kemi të bëjmë me një koalicion që pretendon me formu qeverinë pa i pas votat ose shumicën në parlamentin e Kosovës . Kemi vetëm një zgjidhje që duhet me u kuptu që nuk shkon as me kushtëzime dhe as me bindje apo me insistim të vazhdueshëm që dikush duhet ta ndërrojë mendjen në vota, por duhet që sipas përgjithësisë që i kemi të gjithë në vendimmarrje t’i lëshojmë rrugë dhe të lihet të mandatohet një grupim tjetër politik për formim të qeverisë”, ka thënë Kusari- Lila në një prononcim për Indeksonline.

Kusari- Lila thotë se duhet të vazhdohet me procedura duke ia dhënë mundësinë forcës së dytë politike për të formuar qeverinë.

“Natyrisht t’i provohet shanca e PAN-it që do të dështojë dhe mandej të vazhdohet me procedurën e mandatimit të forcës së dytë politike”, ka theksuar ajo.

Ndryshe, javën e kaluar, kur u mbajt seanca konstituive, PAN nuk e propozoi kandidatin për Kryetar të Kuvendit, pasi nuk i kishin votat e mjaftueshme. Kurse, nga ana tjetër LDK e Vetëvendosje kanë organizuar edhe një seancë tjetër, të premten, mirëpo, PAN kishte refuzuar pjesëmarrjen.

Ndërkohë, të mërkurën e ardhshme pritet të ketë një takim konsultativ lidhur me mënyrën e konsituimit të Parlamentit.

Exit mobile version