Telegrafi

Kusari-Lila: Nëse dështojnë me Veselin, PAN-i të dalë me një propozim tjetër për kryeparlamentar

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të koalicionit LAA do të shkojnë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 24 gusht 2017, por janë të bindur se koalicioni PAN nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e Kadri Veselit kryeparlamentar.

Edhe kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, nuk është i sigurt nëse koalicioni PAN do të marrë pjesë në seancë, pavarësisht se nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, vetë e ka kërkuar mbajtjen e seancës të enjten e ardhshme.

“Ndoshta koalicioni PAN do të vijë në seancë, mirëpo do të mundohet ta gjejë një arsyetim për ta shtyrë atë”, ka thënë Mikullovci për gazetën “Zëri”, duke shtuar se deputetët e “Vetëvendosjes do të marrin pjesë në këtë seancë.

Edhe deputetja nga radhët e koalicionit LAA, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se koalicioni PAN duhet të marrë pjesë në seancën e 24 gushtit, pasi e ka obligim ligjor, moral dhe politik.

Sipas saj, nëse më 24 gusht do të dështojë zgjedhja e Kadri Veselit si kryeparlamentar, atëherë koalicioni PAN do të shkojë me një propozim tjetër, në mënyrë që të zhbllokohet situata politike.

“Në rast se nuk arrihet të votohet Kadri Veseli, unë pres që PAN-i të vijë me propozimin e dytë, në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe gjithsesi që të konstituohen organet e Kuvendit dhe të fillojë edhe numërimi i ditëve për procesin e votimit të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ajo për “Zërin”.