Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: Në Kosovë vendoset me diktat të Hashim Thaçit

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se barazimi i një seance të jashtëzakonshme të thirrur për një ekip negocitor me seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, është i gabueshëm.

Sipas saj, këto dy seanca nuk duhet të barazohen.

“Ne e konsiderojmë si tepër neglizhente nga ana e deputetëve të pozitës ikjen nga kjo përgjegjësi. Nëse e shohim gjithë procesin në tërësi, si ka rrjedhur me negociatat në Bruksel, e vërejmë se e kemi një ç’akordim total të procesit prej fillimit kur është nis me dialogun teknik, deri tash kur ka ardh te pika kur Presidenti krye në vete fillon diskutimin apo negocimin në raport me ndërrimin e vijave të kufirit, mbi të gjitha pa asnjë transparencë”, ka thënë ajo.

Kusari Lila ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë rezolutën bazë, siç e quan ajo, për mbrojtjen e kufijve të vendit.

E pyetur për një vend të hapur për Alternativën në grupin e dialogut të themeluar nga Qeveria, ajo tha se Kuvendit të Kosovës duhet t’i kthehet funksionaliteti.

Sipas saj, gjithçka në Kosovë po vendoset me diktat të Hashim Thaçit dhe tha se seanca është e domosdoshme të mbahet.

Exit mobile version