Skandaloz e ka cilësuar organizmin e sotëm të seancës solemne të Kuvendit, për ndër të 10 vjetorit të pavarësisë, deputetja njëherësh edhe kryetare e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo, duke ka kritikuar ashpër mënyrën e organizimit të seancës solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka thënë se “çdo gjë që mund të bëhej gabim sot u bë nga Kryetari i Kuvendit dhe kushdo që bashkë me të që ishin në këtë organizim”.
“Tani protokolli i Kosovës është shndërruar në burra e gra, kunata e kunetë dhe kusherinj. Rendi i ri shoqëror i Kosovës është tërësisht farefisnor dhe klanor?, ka shkruar Kusari-Lila.
Postimi i plotë i Kusari-Lila:
“Na bëtë Horr e hajt….
Na lëni të gëzohemi dhe na lëni të festojmë, pa e bërë pis më shumë punën. Për të gjithë që u egzaltuan mbrëmë me “Vallen e Rugovës” së Rita Orës në sheshin e stërmbushur me të rinj që morrën pak shpresë dhe vullnet nga suksesi i Ritës, sot na e mbytën “paria” e vendit me organizimin skandal të seancës soleme të Kuvendit.
Çdo gjë që mund të bëhej gabim sot u bë nga Kryetari i Kuvendit dhe kushdo që bashkë me të që ishin në këtë organizim.
Ulëset dhe radhitja e mysafirëve pa ndonjë rend apo protokoll, President të shtetit, ish-president, ish-Kryeministra, ambasadorë, krejt lëmsh.
Kush ulet lart dhe kush ulet poshtë nuk dihej saktë.
Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit kur u shpall Pavarësia, z. Sejdiu dhe z. Krasniqi, ishin ulur lart me lozhën e mysafirëve dhe të gazetarëve. Pastaj u kujtuan ta thërasin presidentin Sejdiu poshtë, por e lanë Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi lart.
Ish-Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç, njëherë gati se nuk e lanë të futet në sallë, pastaj kur e lanë e ulën në fund të rendit të parë, pas deputetit të Republikës së Maqedonisë.
Në adresimin e tij, Kryetari i Kuvendit, tregoi se nuk ka zyre apo personel të mirëfilltë që e mbështesin, se ju tha mysafirëve, keni ardhë më shumë se që prisnim.
Filloi ti përmend mysafirët ashtu si ju kishin ulur përballë, pa i shikuar fare ata në radhën e sipërme, kush janë dhe pse janë ata mysafirë aty. Përmendi një nga një, jo me protokoll, por me radhë të uljes (pa protokoll) dhe pasi Ambasadoren e BE-së e kishin ulur gati në fund të radhës afër bashkëshortes së Kryetarit të Kuvendit, z. Veseli së pari vendosi ta përmend bashkëshorten e tij e pastaj shkarazi edhe Ambasadoren e BE-së, Natalia Apostollova.
Mendova në atë moment për primitivizmin tonë Ballkanik. SIkur të ishte Ambasadorja e BE-së një burrë Gjerman, do të përmendej më herët. Por ka qëlluar grua e një shteti ish-komunist dhe prandaj e përmendin në fund.
Nëse dikush mendon se sot dua të bëj opozitën, gabon rëndë. Sot, do të doja që Kosova të shkëlqente. Që seanca e sotme të ishte shembull për të gjithë prezent dhe të ndiheshim pak krenar për arritjet e dekadës. Por nuk na lanë as këtë të voglën festë, pa na treguar kaosin dhe mungesën e dinjitetit që ekziston tek ata që duhej të ishin shembul për këtë.
Mos të harroj, komplet familjen e Kryeministrit dhe nipat e kunatat në pritjen e Rita Orës në zyrën e tij të Qeverisë. Nëse donte të jepte shembull të admirimit të këngëtares, kabineti i Kryeministrit kanë mundur të sillnin brenda fëmijë të dëshmorëve dhe familjarëve të zhdukurve dhe jo vetëm fëmijët dhe familjen e Kryeministrit. Ku jeni nisur kështu? Çfarë po ndodh me protokollin e shtetit? A keni privatizuar tani çdo gjë? A hyjmë në institucione apo në shtëpitë tuaja private?! Dreqi e mori na bëtë horr.
Tani protokolli i Kosovës është shëndruar në burra e gra, kuneta e kunetë dhe kusherinj. Rendi i ri shoqëror i Kosovës është tërësisht farefisnor dhe klanor.
E mysafirët e huaj të gjejnë mënyrën të na tregojnë se janë pasardhës të ilirivë dhe bashkëmendimtarë të pushtetarëve se ndryshe, sikur Stipe Mesiç, do të ulen në fund të rreshtit.
Marre!” (sic.), ka shkruar Kusari-Lila. /Telegrafi/