Telegrafi

Kusari-Lila: Kosova ka nevojë për një subjekt të ri

Kryetarja e Gjakovës, njëkohësisht nënkryetare e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka prezantuar disa propozime për nxjerrjen e AKR-së nga kriza “shumë e rëndë dhe shumë e thellë” që ajo ka pësuar, sidomos vitin e kaluar kur nuk arriti as ta kalojë pragun zgjedhor në Parlamentin e Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kusari-Lila ka thënë se duket se tashmë edhe udhëheqësi i subjektit, Behgjet Pacolli, “ka një ide tjetër komplet për transformimin e Aleancës Kosova e Re”.

Ajo ka thënë se aktiviteti i saj në këtë parti është pasivizuar, dhe ka shtuar se mendon se Kosovës i duhet një formacion i ri politik, i cili duhet të ketë një mendësi të re, një qasje dhe një program të ri. “Jo domosdoshmërisht në strukturat aktuale, të cilat pak a shumë të gjitha kanë pasur rastin të qeverisin, por edhe kanë krijuar një sistem që është më vështirë të lëvizet ose të dinamizohet”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka deklaruar se i pengon elementi i lidhjes së identitetit të partisë me lider, duke shtuar se Aleanca Kosova e Re ka pasur një qasje ndryshe në raport me programin zhvillimor, por “si duket prapë kemi rënë në kurthin e disa rrjedhave, aktualiteteve politike në Kosovë, ku prapë është subjektive vendimmarrja”.

Kusari-Lila ka thënë se ende nuk ka marrë një vendim të prerë në raport me të ardhmen e saj politike.

“Unë ia kam dhënë një premtim votuesve të mi, natyrisht edhe qytetarëve të Komunës së Gjakovës se këtë vit do ta marr vendimin – a do të garoj edhe për një mandat si kryetare e Komunës apo cila do të jetë e ardhmja politike. Gjithsesi vëmendja dhe fokusi kryesor janë zhvillimet në Gjakovë, dhe natyrisht ndërrimi i situatës atje, edhe pse me shumë vështirësi”, është shprehur Kusari-Lila.