Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se koalicioni me LDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme për ne ishte i detyrueshëm pasi nuk mund të regjistroheshim në KQZ.
Ajo në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë vendimi për të dalë nga koalicioni me LDK-në pasi ka filluar të humbet identiteti i Alternativës.
“Erdhi një pikë kur ne në një bisedë kolegiale dhe miqësore me Isa Mustafën, Kujtim Shalën dhe Avdullah Hotin vendosëm t’i ndanim rrugët sa i përket tërësisë si grup, por mbesim në raporte të njëjta për shumicën e çështjeve që e preokupojnë sot Kosovën”.
Kusari-Lila ka thënë se marrëveshja LDK-Vetëvendosje as që është menduar, sepse Albin Kurti nuk donte njerëz tjerë në listë të përbashkët.
“Edhe pse ne ishim në bisedime me Albinin, hezitimi i tij për të pasur njerëz tjerë ishte i madh, madje edhe për ne si një parti e vogël që ishim në atë kohë”.
Kusari-Lila ka thënë se marrëveshja parazgjedhore me LDK-në nuk parashihte ndarje postesh, por vetëm pika specifike.
“Marrëveshje jonë me LDK-në ishte për qeverisje nëse do të fitonim zgjedhjet. Edhe Mustafa na falënderoi kur vendosëm të ndahemi, sepse marrëveshja jonë ishte vetëm për qeverisje të përbashkët”, tha ndër të tjera kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila./Telegrafi/