Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Ilir Deda u distancua nga Alternativa në kohën kur ky subjekt u pozicionua në krahë të bllokut LDK-NISMA.
Kusari-Lila, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në kohën kur qëndrimi i Alternativës ishte bërë i ditur se pa Vetëvendosjen dhe LDK-në nuk do të ketë sukses procesi i dialogut, Ilir Deda ishte larguar.
“Distancimi i Ilir Dedës nga aktivitetet e partisë [Alternativa] është bërë në kohën kur Alternativa është pozicionuar deklarativisht dhe publikisht në krahë të Vetëvendosjes dhe LDK-së”.
Kryetarja e Alternativës ka kritikuar edhe qëndrimin e PSD-së në raport me koalicionin qeverisës.
“Është pak e çuditshme, pasi që opozita që ia zgjatë jetën qeverisë nuk është bash opozitë…Ja zgjatë jetën qeverisë duke i votuar buxhetin, ja voton projektligjet, i ndihmon në kauza…”.
“…Nëse kish vazhduar një situatë e tillë që do të pamundësohej votimi i buxhetit, Qeveria do të binte”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Alternativën me LDK-në e Vetëvendosjen i lidh qëndrimi për kufijtë e Kosovës.
“Ajo çfarë na bashkon me LDK-në dhe Vetëvendosjen është qëndrimi i prerë kundër ndryshimit të kufijve. Në këtë format si ka shkuar procesi i dialogut, nuk pajtohemi fare me Qeverinë”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila./Telegrafi/