Telegrafi

Kusari-Lila i ka parashtruar dy kërkesa të veçanta ministrit Stavileci

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, sot ka pritur për vizitë në Gjakovë, ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, Blerand Stavileci.

Gjatë konferencës për media, kryetarja e komunës Kusari-Lila, ka thënë se me ministrin Stavileci, kanë biseduar për planet zhvillimore ekonomike, përkrahjen që do ta ketë komuna nga kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës për projektet zhvillimore të Gjakovës.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Gjakovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të mbështes iniciativën për fillimin e punës në zonën e lirë ekonomike, të aeroportit, për ngrohtoren e qytetit, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, dhe disa pika të përbashkëta të natyrës zhvillimore ekonomike.

“Ne do të jemi në përkrahje të vazhdueshme të projekteve zhvillimore ekonomike të Gjakovës, por edhe të komunave tjera të Kosovës”, citohet të ketë thënë Stavileci.

Në njoftim shtohet se kryetarja e Komunës, Kusari-Lila, ka kërkuar nga ana e ministrit të Zhvillimit Ekonomik mbështetjen dhe aprovimin sa më të shpejtë të dy kërkesave të Komunës së Gjakovës drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ajo ka identifikuar kërkesën e parë që ka të bëjë me formimin sa më të shpejtë të Bordit të AKP-së, që bordi të mundësoj krijimin e Zonës së Lirë Ekonomike, dhe si kërkesë të dytë, Kusari-Lila, ka prezantuar mundësinë që Komuna të merr në shfrytëzim pa të drejtë pronësie dhe shitje të tri ndërmarrje në Gjakovë që do të shërbejnë në kompleksin ku do të ushtrohet veprimtaria ekonomike e Zonës së Lirë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/