Ish-kryetarja e Gjakovës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po e shkurton sipas saj, buxhetin për projektet në këtë komunë për 19 milionë euro.
Ajo në foltoren e Kuvendit, më pas edhe në një postim në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se Haradinaj “falënderon” Gjakovën për besimin e dhënë, duke shkurtuar buxhetin e projekteve të Komunës së Gjakovës për 19 milionë euro.
“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2018, vjen ne Kuvend për lexim të parë me – 19,272,567 Euro, mjete këto të hequra nga projektet aktuale dhe të planifikuara me kornizën afatmesme të shpenzimeve”, ka theksuar Kusari – Lila.
Më poshtë ish – shefja e Komunës së Gjakovës, ka renditur një varg projektesh, në të cilat sipas saj, Haradinaj, po investon shumë më pak se që është paraparë.
“Qeveria Haradinaj, ka reduktuar:
1. Projektin e Unazës së qytetit nga 25 milion në 7 milion (2018 – 2020) (hiqen 18 milion euro)
2. Shtëpinë e Kulturës në Rogovë të Hasit nga 1.2 milion në 500,000 (hiqen 700,000 Euro)
3. Fushat e tenisit Shkugëz nga 488,978 në 100,000 euro (hiqen 388,978 euro)
4. Shkolla fillore në Korenicë nga 313,589 euro në 230,000 euro (hiqen 83,589 euro)
5. QKMF nga 813,000 euro zbritet në 713,000 euro (hiqen 100,000 euro)
Gjakova me qeverinë Haradinaj ka sot të projektuar – 19,272,567 euro (afër 20 milion euro).
Shtesë kësaj, Aeroporti i Gjakovës, Hekurudha, as nuk janë pjesë e buxhetit 2018 dhe as projeksioneve për vitin 2019 dhe 2020.
Shtrati i lumit Krena nuk ka asnjë ndryshim, vetëm sa kanë qenë të projektuara në mandatin e kaluar, 220,000 Euro ne 2018 dhe 250,000 Euro ne 2019. Askund nuk janë milionat e fushatës për Krenën.
Ndryshimi veqse ka filluar!” (sic.), ka shkruar Kusari-Lila./Telegrafi/