Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Arlind Gjikollit i njohur si Gjikla.
“Ikja shumë e hershme dhe e shpejtë për në amshim e Gjiklës lën pikëllimin dhe zbrastësinë pas të njeriut me shpirtin artistik dhe optimizmin e pashuar për jetë më të mirë”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Ajo tha se me buzëqeshjen dhe humorin e përhershëm, Gjikla la gjurmë në jetën e secilit që e takoi ai personalisht apo vepra e tij!
“Gjiklën e njoha që në rininë e hershme në Pejë kur me Besnikun dhe Trakla kishin nisur me entuziazëm Grupin WNC. Asokohe kishte ide dhe plane të shumta për rritjen dhe promovimin e grupit gjithmonë pa e humbur fokusin e aktualitetit që trajtonin në zhanrin e ri të kohës, pa lënë anash humorin dhe ngallëzimin për jetën. Ashtu do të mbahet në mend gjithmonë, i buzëqeshur, i afërt dhe plot jetë”, tha më tej Kusari-Lila.
“Deri në këngën tjetër në botën e amshimit, shndrit në parajsë me buzëqeshjen tënde Arlind”.
“Ngushëllimet më të thella familjes, miqve, kolegëve të punës dhe gjithë që e njohën dhe e deshën Gjiklën për njeriun e mirë që ishte”, shkroi Kusari-Lila.