“Uroj Maqedoninë për vendimin historik për të vazhduar zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, me çka ka dërguar sinjal për guxim, jo vetëm për Maqedoninë, por për gjithë rajonin”, tha sot kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili së bashku me presidentin malazez Millo Gjukanoviq, kanë hapur konferencën “Ballkani dhe BE – Cikli pesëvjeçar i procesit të Berlinit” që po mbahet në Budva.
Kurz në fjalimin e tij theksoi aspektet e ndryshme që ndikojnë në stabilitetin ekonomik dhe të sigurisë në rajon. Ai tha se rajoni me guxim ecën para dhe po bëhet faktor i besueshëm për gjithë Bashkimin Evropian, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në konferencë merr pjesë edhe delegacion i Qeverisë së Maqedonisë, që udhëhiqet nga zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Koço Angjushev, ndërsa pjesëmarrës është edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në kuadër të konferencës anëtarët e delegacionit qeveritar do të realizojnë takime dy palëshe me liderë politike dhe afaristë të rajonit./Telegrafi/