Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli janë pritur në Bundeskanlzeramt, nga kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Në këtë takim është biseduar me Kancelarin e Austrisë për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në rrafshin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Austrinë në të gjitha fushat. Austria është ndër investitorët kryesorë në Kosovë”, ka thënë Presidenti.
Presidenti Thaçi ka kërkuar mbështetje nga kancelari austriak për dinamizimin e perspektivës evropiane të Kosovës, meqë Austria do ta marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.
“Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme, zhvillim dhe sundim të ligjit. Viti 2018 është vit i mundësive për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se e mirëpresim kryesimin e radhës të BE-së nga Austria dhe presim të vazhdohet me praktikën e samitit në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim është biseduar edhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga shtetet mike të Kosovës.
“Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut. Jemi duke ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për dialogun”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka theksuar se Austria është mike e rajonit e veçanërisht e Kosovës, derisa ka mirëpritur kryesimin e radhës të BE-së nga Austria dhe përkrahjen për Ballkanin Perëndimor në BE.
“Ju përkrahim në liberalizimin e vizave. Të avancojmë bashkëpunimin ekonomik”, ka thënë ndër të tjera kancelari Kurz.
Në fund presidenti Thaçi ka thënë se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve duhet të zgjedhoren edhe në ekonomi, arsim, kulturë dhe fusha tjera. /Telegrafi/