Austria mbështet dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, një proces i rëndësishëm që është vendimtar për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Kështu ka thënë kancelari austriak Sebastian Kurz të shtunën në Beograd gjatë takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç, përcjell Telegrafi.
Përveç kësaj, Kurz theksoi se Austria brenda BE-së është vazhdimisht e përkushtuar ndaj procesit të pranimit dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, gjatë një interviste për Tanjug, në fund të një vizite pune njëditore në Beograd, Kurz ka thënë se ai shpreson që ky vit të mos jetë i humbur në çështjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, dhe tha se BE-ja duhet të bëhet një partner i besueshëm për këtë rajon.
“Përkundrazi, shpresoj për një dinamikë të re të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”.
“BE duhet të jetë një partner i besueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ata të mund të mbështeten në të, dhe duhet të ketë besimin e Bashkimit në lidhje me rajonin”, ka shpjeguar Kurz. /Telegrafi/