Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, në një deklaratë për gazetën Bild am Sonntag ka theksuar se krizën e refugjatëve do ta zgjidhin në një mënyrë evropiane.
Kurz ka vënë në dukje se do të pakësojnë fluksin e migrimit dhe ka theksuar se kriza e refugjatëve nuk do të sjellë ndarjen e Evropës, përcjell Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me mbylljen e kufirit maqedonas, Kurz ka shpjeguar se Maqedonia ka marrë përsipër një detyrë të vështirë për arsyen se Greqia nuk ka mundur të ndalojë rrjedhën e refugjatëve. Ai ndër të tjera ka theksuar se do të ishte një gabim i madh që njerëzit të lejohen të dynden serish në mënyrë të pa kontrolluar drejt Evropës.
Kurz duke vënë në dukje se kufijtë duhet të qëndrojnë të mbyllur, u shpreh: “Kufijtë mund të hapen kur të pakësohet dyndja e refugjatëve në Evropë. Dhimbja në Maqedoni është e tmerrshme. Njerëzve duhet t’iu shpjegohet se ndodhen në shpresë të gabuar dhe me sinqeritet duhet të themi se ‘tashmë nuk mund të vini në Evropën e Mesme’”.