“Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës tregon se negociatat e vazhdueshme dhe diplomacia sjellin rezultate”, thotë kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz në intervistë për gazetën greke “Kathimerini” dhe e potencon edhe përkrahjen austriake për perspektivën evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Ai thekson se për Austrinë rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet bazë në politikën e jashtme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me ngrohtësi e përshëndesim marrëveshjen mes të dy palëve. Tregon se negociatat e vazhdueshme dhe diplomacia sjellin rezultat. Për Austrinë rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet bazë në politikën tonë të jashtme dhe evropiane, por edhe të kryesimit tonë me BE-në. E përkrahim linjën e komisarit për Zgjerim, Johannes Hahn. Sigurimi i rrugës së ndershme dhe të besueshme drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor u shërben interesave tona në nivel sigurie, në nivelin politik dhe atë ekonomik”, thotë Kurz.
Kancelari austriak për “Kathimerini”, tha se duhet menjëherë të ndërpriten negociatat mes BE-së dhe Turqisë, pasi sipas tij, Turqia viteve të fundit distancohet nga Evropa dhe nga vlerat evropiane.