Site icon Telegrafi

​Kurti uron nga KEK-u: Me ata të cilët punojnë që ne të festojmë

Kryeministri Albin Kurti, shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në natën e ndërrimit të motmoteve. Kreu i ekzekutivit tha se është me ata të cilët punojnë që të tjerët të festojnë.

“Me ata të cilët punojnë që ne të festojmë, nga vendi prej nga na vjen ndriçimi sonte teksa urojmë njëri-tjetrin, gëzuar Viti i Ri 2023, të gjithë Juve të dashur qytetarë, familjeve, miqve e kolegëve tuaj!”, shkroi Kurti në Facebook.

Në bazë të fotove të publikuara, Kurti ka vizituar dy departamente në KEK ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeshefi ekzekutiv Nagip Krasniqi.

Ndryshe, vetëm një ditë më parë, qeveria i ndau KEK-ut 20 milionë euro me rastin e vendosjes së obligimit të shërbimit publik.

KEK, si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GËh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike.

Sipas këtij obligimi, KEK obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike.

Në anën tjetër, KEK tha se e përmbylli vitin 2022 me sukses falë angazhimit te punëtoreve, inxhiniereve dhe stafit menaxhues.

Lidhur me këtë, Bordi i KEK-ut ka miratuar propozimin e menaxhmentit për një kompensim shtesë, për të gjithë punëtorët e KEK-ut përgjatë vitit 2022 në vlerë prej 500 € neto, proporcionalisht.

Exit mobile version