Me ftesë të Avokatit të Popullit, kryeministri Albin Kurti diskutoi me akterët kryesorë të sistemit të drejtësisë në Kosovë në tryezën lidhur me “zgjidhjen efektive të zvarritjeve te procedurës gjyqësore – shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”.
Në hapje të tryezës, kryeministri Kurti theksoi vlerësimin pozitiv të Komisionit të Venedikut për reformat e synuara në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, respektivisht për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për Vetting në drejtësi dhe projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Është bindje imja e thellë dhe e palëkundur se ne, edhe si shoqëri edhe si shtet, të gjithë së bashku dhe njëkohësisht secili në funksionin dhe me përgjegjësitë e veta, do ta arrijmë ta synojmë bashkërisht, suksesshëm ndërtimin e një shoqërie moderne me shtet të së drejtës ligjore dhe integrimin jo vetëm në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO e në BE”, tha kryeministri Kurti.
Tutje theksoi se Qeveria është duke bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes së rëndë të trashëguar të papërgjegjshmërisë në institucione publike për respektimin dhe zbatimin e ligjit nga vetë autoritetet publike.
“Po punojmë për krijimin e një politike kulturore, me angazhime të gjithanshme, e cila do të rezultojë me demokraci dhe gjithpërfshirje. Krejt kjo me qëllim të rritjes së besimit shoqëror në autoritetet publike”, tha Kurti.
Ai shtoi se të gjitha përpjekjet për krijimin e një kulture politike e juridike demokratike, domosdoshmërisht e shtrojnë një kërkesë të patjetërsueshme, për sinkronizim të veprimeve të të gjitha nënsistemeve në sistemin e përgjithshëm shtetëror, duke ruajtur pavarësinë funksionale të tyre sipas garancive kushtetuese të ndarjes së pushteteve./Telegrafi/