Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të enjten se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike.
Në një deklarim para mediave, ai ka thënë se nëse ka fatura të fryra KESCO dhe ZRRE-ja janë adresa ku duhet të drejtohen qytetarët.
Sipas Kurtit, kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike “natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat. Mirëpo, nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, është shprehur Kurti pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë-Kosovë, ku u bë përurimi i rrjetit të ujit të pijes për dy fshatra dhe dy lagje të kësaj komune.
Kryeministri më tej ka thënë se po përpiqen maksimalisht që të ketë furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme të energjisë elektrike.
“Kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset, në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”.
“Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i kemi shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçiente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRRE janë adresa”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/