“Shteti zhvillimor është përgjigja e duhur në problemin themelor që e ka Kosova me ekonominë, përkatësisht mungesën e prodhimit. Kur themi prodhimtari e mendojmë jo vetëm prodhimin bujqësor, por edhe atë zejtar e industrial”, ka thënë Kurti gjatë këtij fjalimi.
Ai ka shtuar se shteti zhvillimor e vë në dukje para së gjithash e mbi të gjitha progresin shoqëror.
“Masa dhe dëshmia e vërtetë është progresi shoqëror, përkatësisht ngritja e mesatares sonë, si popullsi, si shtet”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, duke folur për investimet e huaja direkte, ai ka thënë se ato mund të vijnë vetëm pas një zhvillimi që do ta ketë Kosova.
Sipas tij, investimet shkojnë në vendet tashmë të zhvilluara dhe nuk bëhen për ta zhvilluar një vend.
Si pasojë e pabarazisë shumë të madhe, Kurti ka shpjeguar se Lëvizja VETËVENDOSJE! propozon tatimin progresiv, që është temë e paprekur që prej pasluftës.
“Ky tatim, është i domosdoshëm për të ulur pabarazinë. Ne nuk mund t’i trajtojmë njerëzit e pabarabartë në mënyrë të barabartë. Duhet të ndërhyjmë në mënyrë të pabarabartë duke synuar barazinë”, ka shtuar Kurti.
Ekonomia dhe arsimi, sipas liderit të VV-së, shihen të ndarë prej njëri – tjetrit, dhe ky është defekt i Kosovës së pasluftës.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që t’i lidhë këto dy fusha bashkë, në mënyrë që të sigurohen më shumë vende pune”, ka përfunduar Albin Kurti. /Telegrafi/