Site icon Telegrafi

Çitaku reagon ndaj deklaratave të Kurtit për sulme në veri: Qeveria duhet të krijojë siguri, jo të përhapë panik

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me konferencën e kryeministrit Albin Kurti, i cili paralajmëroi sulme të reja nga Serbia.

Çitaku në një postim në Facebook, ka thënë se qytetarët në vigjilje të Krishtlindjes morën dy “dhurata”, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit si dhe ndërprerjet e energjisë elektrike dhe faturat e larta.

“Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia”, ka shkruar Çitaku.

Lexo po ashtu Kurti paralajmëron sulme të tjera në veri para dhe pas Vitit të Ri

Çitaku theksoi se qeveria duhet të fokusohet në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të stabilizojë situatën, në vend që të përhapë frikë dhe pasiguri.

“Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor. Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”.”, ka shkruar Çitaku.

Kryeministri Albin Kurti të martën në një konferencë për media tha se priten sulme të tilla “veçmas para dhe pas Vitit të Ri”.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version