Site icon Telegrafi

Kurti merr pjesës në përurimin e rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në përurimin e rrugës së asfaltuar Kërstec-Pakishtë-Zapod, me gjatësi 6.3 kilometra dhe investim 2.6 milionë euro, e cila i lidh këta fshatra me Prizrenin dhe Dragashin.

Kryeministri Kurti theksoi se është shtruar një rrugë e cila është e arritur e përbashkët e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të lëvizim sa më lirshëm dhe t’i ndihmojmë në veçanti banorët e këtyre zonave të thella.

“Është përfitim i jashtëzakonshëm për lëvizjen e lirë, për zhvillimin ekonomik e kulturor të këtyre zonave që i kanë dhënë shumë edhe Kosovës, edhe Shqipërisë, kombit shqiptar në të gjitha epokat e përparimit tonë”, tha kryeministri.

Sipas tij, ka qenë mungesa e infrastrukturës e cila ka detyruar banorët e këtyre zonave të thella të migrojnë, andaj me projekte të tilla infrastrukturore, siç tha kryeministri, këta të fundit gjithnjë e më shumë do të mund të kthehen në vendlindjen e tyre më shpesh, e pse jo edhe përgjithmonë.

“Kemi shtruar një rrugë e cila është edhe në Kosovë edhe në Shqipëri në mënyrë që të lëvizim sa më lirshëm dhe t’i ndihmojmë në veçanti banorët e këtyre zonave të thella, të cilët edhe mungesa e infrastrukturës në të kaluarën i ka detyruar në migrim. Shpresojmë që me këso projekte infrastrukturore gjithnjë e më shumë do të mund të kthehen në vendlindjen e tyre më shpesh, e pse jo edhe përgjithmonë”, u shpreh kryeministri me rastin e përurimit.

Falënderime për punë e përkushtim për këtë të arritur, kryeministri Kurti pati jo vetëm për ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi, por edhe për ambasadorin aktual të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, dhe ish – ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Kjo rrugë është njëra nga tri projektet rrugore pjesë e protokollit të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në shtator të viti 2023. Rruga Blinishtë – Dobrunë është ndërtuar, ndërkaq rruga Gorozhup – Pogaj është në ndërtim e sipër.

Përveç kryeministrit Kurti në përurimin e rrugës morën pjesë edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri, Hysen Durmishi, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi, Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Albert Bislim Halilaj, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majko, njëherësh ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Exit mobile version