Site icon Telegrafi

Kurti-Leu: Kosova e Zvicra të gatshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale me Zvicrën.

Gjatë takimit u ritheksua gatishmëria e të dy qeverive për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin në ekonomi dhe krijim të vendeve të reja të punës.

U theksua se veçanërisht shkëmbimet tregtare dhe investimet në ekonomi mund të rriten.

Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke.

Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kurti theksoi se për Qeverinë e Kosovës, Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ndërsa sekretarja zvicerane Livia Leu shprehu mirënjohjen për kontributin e mërgatës së Kosovës në Zvicër, duke thënë se Kosova është shtet me prioritet për Konfederatën Zvicerane.

Ajo tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon.

Exit mobile version