Kryministri Albin Kurti ka falënderuar Edi Ramën për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kosovës lidhur për ndihmën me energji elektrike.
Kurti gjatë një konference për medie, është shprehur se kompensimi me nga ana e Kosovës do të bëhet gjatë verës kur Shqipëria ka më së shumti nevojë për rrymë.
“Ne e falenderojmë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen. Ministrja e jonë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë, për shkak se jemi komplementar, ne kemi termocentrale ata kanë hidrocentrale dhe bëhet fjalë për dy ditë e më pastaj ne do të kemi mundësi t’i ndihmojmë në rast të nevojës, pra verën e vitit të ardhshëm. Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollëk që të na ndihmojë neve, por në kushtet që i ka, Shqipëria ka shprehur vullnetin të na ndihmojnë”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
Gjatë të martës, Rama në Twitter kishte thënë se do të ndajnë rrymë për Kosovën aq sa kanë mundësi, për festat e fundvitit.
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.
Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë. /Telegrafi/